Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, sot ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Drejtorisë së Inspekcionit, Besnik Mulliqi.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Mulliqi përmes një postimi në Facebook, ku ka bërë të ditur se njoftimin për shkarkimin e tij e ka pranuar sot përmes e-mail.
“Ju njoftoj se sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA. Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdueshme për t’a mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm”, ka shkruar Mulliqi.
Ai ka thënë se ka pasur mospajtime të thella me Kryetarin e Komunës së Podujevës, ku ka thënë se në njërën anë ka qenë vetë ai që ka mbrojtur ligjin, ndërsa ka akuzuar kryetarin Bulliqi se ka tentuar që ta pengojë.
Mulliqi e ka quajtur vendimin për shkarkimin e tij “skandaloz”, duke falënderuar mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje për përkrahjen e vazhdueshme.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Podujevës, të dashur aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje!,
Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA.
Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekve të mia të vazhdushme për t’a mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm!
Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar!
Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz.
Të gjithë juve qytetarë të Podujeves dhe aktivistë të Lëvizjes, ju falënderoj nga zemra për përkrahjen e vazhdueshme!