Ishte maji i vitit 2023 kur Shpejtim Bulliqi, dha lajmin se Podujeva po bëhet me parking nëntokësor.
Ky i fundit planifikohej të zinte vend tek sheshi “Ali Ajeti”, që gjendet fiks përballë komunës.
Ndërsa sot, prezent tek zona e paraparë për ndërtimin e tij është po ky shesh, siç ishte tri vite më parë, pa asnjë ndryshim.
Procedurat e tenderimit janë anuluar në vazhdimësi që nga viti 2023, në pjesën më të madhe të rasteve për mospërmbushje të kushteve nga ana e kompanisë.
E gjatë rrugës, dolën edhe arsye të tjera, e fundit që nga anulimi i saj në prill të këtij viti.
“Një pjesë e pronës në të cilën është caktuar të bëhet parkingu është në proces gjyqësor. Deri me një vendim të ri të gjykatës anulohet procedura e prokurimit”, pjesë nga dokumenti i prokurimit.
Për asamblistët nga Lidhja Demokratike në këtë komunë, një veprim i tillë tregon neglizhencë nga ana e Bulliqit dhe një tjetër premtim të parealizuar.
“Ka shumë nevojë për parking nëntokësor, e ka përdor për fushatë. Ka pagu tender për të bërë fizibilitetin e vendit edhe pse tash po thonë që ka dalë kontekst pronësor. Tri herë ka pas procedura tenderimi, u mundu të bëjë dallavere me kompani që nuk kanë plotësuar kushtet”, ka thënë Ekrem Rrahmani, asamblist i LDK-së.
Mes të tjerash, Rrahmani kritikon komunën për mungesë përgjegjësie gjersa thekson se vepruan qëllimshëm në dështimin e këtij projekti.
“Nuk ka ma banale se me thanë komuna u anulu për pjesën para komune për kontekst pronësor kur e kanë drejtorinë e pronës. Nëse këta nuk e kanë ditë që është pjesë e tyne, s’di a ka ma keq. Besoj se ai e ka ditë këtë pjesë po atij i shkon mashtrimi”, ka thënë Ekrem Rrahmani, asamblist i LDK-së.
Televizioni ka provuar që për këtë të flas dhe të marr një përgjigje nga Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunë, Bahri Selimi por edhe nga vet Kryetari Bulliqi por asnjëri nuk është përgjigjur. /Dukagjini/