Bullgaria pritet të dërgojë një kontingjent prej 100 ushtarakëve në Kosovë në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.
Dislokimi, sipas agjencisë së lajmeve bullgare novinite.com, shënon një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet e NATO -s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Kontingjenti bullgar i cili prite të dislokohet në Kosovë në javët e ardhshme është i përbërë kryesisht nga ushtarakë të Brigadës së 2-të të Mekanizuar të Tundzhës, së bashku me personel nga njësi të tjera të ndryshme ushtarake.
“Kontingjenti i është nënshtruar trajnimit rigoroz për të siguruar gatishmërinë për misionin e tij”.
NATO shtoi numrin e ushtarëve për shkak të situatës së paqëndrueshme në Veri të Kosovës sidomos pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.
Gjermania së fundmi paralajmëroi dislokimin e një kontingjenti shtesë së këmbësorisë nga radhët e Forcave të Armatosura të Gjermanisë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.
Mbretëria e Bashkuar dislokoi rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit prej 400 trupash, ndërsa Rumania dislokoi rreth 130 ushtarë pas përshkallëzimit të situatës, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu mori vendim që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR.
Në linjë me zhvillimet aktuale edhe Sllovenia rriti numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s në vend.
Më 5 dhjetor 2023, batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s (NRFC) u vendos në Kosovë.
Turqia po ashtu dislokoi një batalion të këmbësorisë së Forcave të Armatosura (TSK) pas zhvillimeve të fundit, kurse Kroacia miratoi pjesëmarrjen e deri 160 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Kroacisë (HKoV) në misionin paqeruajtës në Kosovë.
Zvicra paralajmëroi gjithashtu se do ta rrisë numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it./Albanian Post/