Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj tha se rastet që kjo Agjencia i ka dorëzuar në Prokurori e që janë shqyrtuar nga Gjykatat kanë përfunduar me dënime me gjobë e në disa raste edhe me burgim me kusht.
Buleshkaj në një intervistë për Ekonomia Online, tha se këto dënime janë të pamjaftueshme, për të gjithë ata që nuk e respektojnë ligjin për deklarimin e pasurisë me kohë.
Por sipas tij, nëse vepra përsëritet atëherë dënimi duhet që të ekzekutohet, e mund të ketë edhe pasoja më të rënda siç është punësimi në sistemin publik, apo edhe dëshmia se nuk ka të kaluar kriminale.
“Rastet që kanë kaluar në Prokurori, kryesisht janë dënime me burg me kusht dhe të shoqëruar me gjobë, të gjitha kanë një gjobë dhe kanë me kusht. Dënimi me kusht nga disa mund të konsiderohet që nuk është mjaftë i fuqishëm, por ne konsiderojmë që është i mjaftueshëm dhe i fuqishëm sepse jepet për një kohë të caktuar në qoftë se përsëritet për shembull e njëjta shkelje brenda një viti, atëherë subjekti është i obliguar që ta kryej me burg këtë periudhë, do të thotë është mjaftë e rëndë, pastaj mund të jenë edhe pasoja të tjera qoftë në qasjen e punësimit në sistemin publik, apo mund të ketë telashe të tjera me nxjerrjen e historikut kriminal të tyre për pozita të ndjeshme apo duke përfshirë edhe aplikime për viza sepse ka plotë ambasada që kërkojnë certifikata e kaluar penale të qytetarëve”.
Por Buleshkaj thotë se kohët e fudnit Prokuroria e Shtetit është treguar efikase në bashkëpunim me ta dhe se i’u kanë kthyer përgjigje për rastet që më herët është dashur të presin gjatë.
“Ka mundur që të ndodh që i kemi dërguar me qindra kallëzime penale, ndërsa neve nuk ka ardhur as një informatë kthyese se çka ka ndodhur me to. Tashmë kemi një sistem të kthimit prapa të informatave, ne e dimë se çka ndodh me secilin rast, tashmë me Kodin e ri të procedurës penale mund të ankohemi qoftë se nuk kemi të kënaqur me ato se si janë trajtuar rastet tona në Prokurori, mund të ankohemi në Prokurorin e Apelit, kemi filluar ta përdorim këtë mekanizëm. Kështu që të paktën marrim një përgjigje prapa se si janë trajtuar rastet”.
Buleshkaj ka sqaruar se gjobat për mosdeklarimin me kohë të pasurisë shkojnë deri ne 500 euro apo 30% të pagës mujore.
Por nëse edhe pas 15 ditës nga përfundimi i afati nuk e deklarojë pasurinë dhe nuk e paguajnë pagën, rasti procedohet në Prokurori.
Ai ka sqaruar se nga 4 500 të cilët e kanë pasur për detyrë ta deklarojë pasurinë, më pak se 10 nuk i janë përgjigjur e kohë thirrjes së Agjencisë. Për disa raste ai tha se kanë pasur arsye, por që Agjencia nuk mund t’i tolerojë, raporton EO.
“Ligji i ri ju jep dy mundësi, të gjithë ata që vonohen nga data e fundit i’u shqyrtohet një gjobë mandatore deri në 500 euro apo 30 për qind e pagës së tyre mujore e pastaj nga data e fundit i kanë afat edhe 15 ditë për ta bërë deklarimin e pasurisë duke e paguar edhe gjobën. Në qoftë se dështojnë prapë pas afatit 15 ditor, atëherë të gjitha këto raste do të detyrohemi t’i bartim në Prokurori sepse konsiderohet si mos respektim i ligjit”.
“Në fazën e parë të deklarimit të rregullt të pasurisë të gjitha kategori që kanë qenë më herët kemi pasur vetëm 12 apo 13 raste të cilët nuk e kanë deklaruar me kohë. Ne jemi në proces të shqiptimit të gjobave për ta sepse është dashur që t’i kryem disa obligime të tjera administrative, juridike për të mundur që t’i shqiptojmë këto gjoba. Kemi pasur një pritje të mirë, një përgjigje të mirë të zyrtarëve në kërkesat tona. Në qoftë se të grupi i parë që përmenda kanë qenë me shumë se 4 mijë e 500 zyrtarë, do të thotë vetëm pak më shumë se 10 nuk janë përgjigjur në kohë. Atëherë mund të konsiderojmë që ka qenë një përgjigje shumë e mirë. Të gjithë këta që nuk e kanë deklaruar ndoshta me një apo dy përjashtime ka pasur ndonjë arsye të tyre, por ne si Agjenci nuk mund t’i lirojmë nga ky obligim”.