24.1 C
New York
Monday, September 16, 2024

Buy now

Bukë të “kallamojt” e takime qesharake: Qysh po i ecë “lobimi” Gani Jakupit të 90 mijë eurove?

- Advertisement -

Nacionale në vazhdimësi ka përcjellur aktivitetin “lobues” të Jakupit. Në fakt, vetë Jakupi ka publikuar në disa raste takimet e tij në rrjetet sociale “X” dhe Facebook dhe atë në dy gjuhë: shqip dhe anglisht. Ndër takimet e para të Jakupit, pasi u njoftua se paguhet 7.500 euro në muaj, ishte me një qytetare nga Azerbejxhani.

Në profilin e tij në Facebook, Jakupi kishte informuar takimin me një azere, pra qytetare nga Azerbajxhani. Më saktë, Jakupi kishte takuar Nejla Ayvazin, me të cilën, gjithnjë sipas postimit, kishte biseduar për lunguistikën, problemet shoqërore dhe politikat evropiane.

“Një bisedë shumë interesante me Nejla Ayvazi të Azerbajxhanit mbi gjuhësinë, çështjet e komunitetit dhe politikën evropiane.

Perspektivat e bashkëpunimit.” – kishte shkruar Jakupi në Facebook.

Pas takimit me qytetaren nga Azerbejxhani, Jakupi kishte njoftuar publikun e gjerë edhe për takimin me një qytetar nga Spanja.

Jakupi ishte takuar me Francisco Tardio, një drejtor për marrëdhënie me jashtë të muzeut “El Prado”, që gjendet në kryeqytetin e Spanjës, Madrid.

“Një pritje e ngrohtë nga Francisco Tardio, drejtor për Çështje Ndërkombëtare në “El Prado” (njëri nga muzetë më të mëdhenj në Evropë), dhe një takim i frytshëm.” – shkroi ai.

Takimet në Spanjë nuk përfunduan me kaq. Jakupi e kishte takuar në Madrid të Spanjës një gazetar të vjetër spanjoll me emrin Ignacio Vidal-Folch. Jakupi kishte shkruar se i ka kujtuar kohët e vjetra me gazetarin dhe shkrimtarin spanjoll.

“Në Madrid, me Ignacio Vidal-Folch, gazetar, shkrimtar dhe poet. Duke kujtuar kohët e vjetra, gati për të rejat.” – shkroi ai në “X”.

Pas takimit me qytetaren azere, drejtorin e muzeut e gazetarin spanjoll, Jakupi më në fund ishte takuar me një ambasador. Javën e kaluar, konsulenti i MPJD-së e takoi Gilberto Jeronimon, përfaqësues i përhershëm i Portugalisë në Këshillin e Evropës. Në postimin në rrjetin social “X”, Jakupi kishte paralajmëruar aktivitete të përbashkëta kulturore.

“Një takim i frytshëm me Shkëlqesinë e Tij Ambasadorin Gilberto Jerónimo, Përfaqësues i Përhershëm i Portugalisë në Këshillin e Evropës. Aktivitete të përbashkëta kulturore përpara.” – shkroi ai.

Natyrisht, Jakupi nuk ngurroi të postonte një shkrim në lidhje me njohjen e pasaportave të Kosovës nga ana e Spanjës.

“Duket sikur Spanja më në fund i ka thërritur mendjes” – shkroi Jakupi në ditën kur u kuptua që Spanja ka njohur pasaportën e Kosovës.

Këtë javë Jakupi e bëri një postim krejtësisht jashtë fushës së tij të lobimit. Në profilin e tij në “X”, Jakupi publikoi dy fotografi, atë të shtëpisë dhe të një ushqimi tradicionale që në Kosovë njihet si “buka e misrit”.

“Buka e kallamojt” dhe “shpija” janë thjesht sinonime të lumturisë.” – shkroi ai.

Pas ngrënies së bukës së misrit, Jakupi e vazhdoi “lobimin” për Kosovën, duke e takuar një menaxhere të një organizate të ndihmës humanitare, që për origjinë e ka shtetin e Francës. Ai ka paralajmëruar se Kosova do të përfshihet në aktivitetet e kësaj organizate.

“Takim kuptimplotë me Charlotte Bertal-Nasser, menaxhere projekti në CCFD (Comité Catholique – Terres Solidaire) Paris.

Kosova do të përfshihet në gamën e aktiviteteve të CCFD.” – shkroi ai.

Nuk dihet se çfarë dobie ka Kosova nga krejt ky lobim, megjithatë një gjë është e sigurt: deputetja e partisë “Guxo”, Jeta Statovci, ia njohu meritat për njohjen e pasaportave të Kosovës nga Spanja./Nacionale.com/.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit