7.9 C
New York
Friday, October 24, 2025

Buy now

“Buka e propagandës”: Kosova importon 77 milionë euro grurë e miell për 9 muaj, Peci e kishte shpallur veten ‘garant të bukës së motmotit’

- Advertisement -

Kosova vazhdon të mbetet thellësisht e varur nga importi i produkteve bazë bujqësore, përfshirë grurin dhe miellin. Vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti, vendi ka importuar mallra në vlerë prej mbi 77 milionë eurosh, duke dëshmuar se “buka e motmotit” ende vjen nga jashtë.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, më herët e kishte zgjedhur një furrë buke për ta nisur fushatën zgjedhore, duke e përzier thërrminë e bukës me premtime politike. Me përparëse të bardhë, mes petëve të miellit, ai deklaroi se “Kosova ka siguruar bukën e motmotit”, një frazë që tashmë është kthyer në refren të tij të preferuar sa herë afrohen zgjedhjet.

Por, ndryshe nga fotoja e tij, shifrat e Doganës së Kosovës janë më të rënda se propaganda. Vetëm në periudhën janar – shtator 2025, Kosova ka importuar rreth 77.55 milionë euro grurë e miell nga jashtë. Pra, çdo thërrmi buke që bie në tryezat tona është më shumë prodhim i Serbisë, Rumanisë e Hungarisë, sesa i “tokës së bukës” që përmend ministri Peci.

Shifrat që e rrëzojnë propagandën

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës të siguruara nga Demokracia.com, për periudhën janar – shtator 2025 janë importuar:

  • Grurë (jo durum): 27,178,951 €

  • Grurë durum: 11,402,395 €

  • Miell prej grurit durum: 22,955,148 €

  • Miell prej grurit të zakonshëm: 11,577,669 €

  • Farë gruri për mbjellje: 4,437,764 €

Në total: 77,551,930 euro.

Pra, ndërsa ministri Peci në furrë flet për “siguri ushqimore”, Kosova paguan miliona euro për miellin e huaj.

Serbia – burimi kryesor i “bukës së motmotit”

Nga këto 77 milionë euro, rreth 30.9 milionë euro vijnë vetëm nga Serbia, që dominon tregun e miellit dhe grurit durum:

Grurë durum: 9.8 milionë €

Miell prej grurit durum: 18.9 milionë €

Grurë (jo durum): 2.17 milionë €

Miell prej grurit të zakonshëm: 34 mijë €

Pra, 80% e miellit durum që hyn në Kosovë – vjen nga Serbia. Në muajin shtator të vetëm, Kosova importoi nga Serbia 1.23 milionë euro grurë, ndërsa Ministri i Bujqësisë fliste për “prodhim vendor të mjaftueshëm”.

Shqipëria, Austria, Rumania, Hungaria e Maqedonia e Veriut janë gjithashtu furnizues të rregullt të tregut kosovar. Vetëm nga Rumania janë importuar mbi 5.3 milionë euro grurë, ndërsa nga Hungaria mbi 4.3 milionë euro.

Në shkurt të këtij viti, Peci shkroi në Facebook:

“Duhet me kanë në tokë të bukës e me e siguru bukën për me i fitu zgjedhjet!”

Nëse buka është “e siguruar”, atëherë është falë doganave, jo arave.

Të ngjashme

Të fundit