Të premten, më 12 shtator, në Qendrën e Artit “Agimi” u hap edicioni i pestë i ekspozitës fotografike “Mbro & Promovo”, një nismë e shoqatës ARGJIRO që synon të nxisë artistët e rinj dhe profesionistët të shprehin, përmes fotografisë, perceptimin e tyre mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.
Ky konkurs, i zhvilluar në kuadër të muajit të frankofonisë, mblodhi një numër të madh pjesëmarrësish nga rrjeti frankofon në Shqipëri. Qëllimi i kësaj iniciative është të sjellë në vëmendje jo vetëm bukuritë natyrore dhe kulturore të trashëgimisë sonë, por edhe sfidat që lidhen me ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor.
Një falënderim i veçantë iu drejtua partnerëve të këtij edicioni: Ambasada e Francës në Shqipëri, Agjencia e Industrisë Krijuese, dhe Qendra e Artit “Agimi”, për mbështetjen e çmuar në realizimin e ekspozitës.
Fituesi i edicionit: Bujar Gashi
Pas një seleksionimi të kujdesshëm nga juria profesionale – e përbërë nga Gent Shkullaku, Lara-Scarlett Gervais, Ornela Durmishaj, Wandrille Potez, Amélie Lombardini-Morin, Sara Gurabardhi dhe Ilda Mara – çmimi i parë iu dha fotografit nga Kosova, Bujar Gashi, me veprën: “Shteg, Lumi i Gashit, Tropojë”.
Finalistët e Edicionit V
• Abi Fusha – Qeparoi i Sipërm
• Marine Brissard
• Virginie Elfiguigui – Bisedë
• Marinela Pashaj – Ksamil
• Bujar Gashi – Shteg, Lumi i Gashit, Tropojë
• Erdit Asllanaj – Duke luajtur Curle Dyjare – Shtëpia Kadare
• Maria Balliu – Rikthimi i banorëve të qiellit në brigjet e tyre
• Emi Divjaka – Pelegrinazh
• Renilda Cani – Shpirti i natyrës
• Blendi Kareco – Tirana Noir
Ekspozita vazhdon…
Ekspozita “Mbro & Promovo V” do të qëndrojë e hapur në Tiranë, në Qendrën e Artit “Agimi”, deri më 19 shtator 2025. Më pas, ajo do të zhvendoset në Parkun Arkeologjik Kombëtar Apolonia, ku do të prezantohet në hapësirën e Trapezarisë gjatë gjithë muajit tetor.