Profesori Bujar Dugolli tha se duhet të ketë qeveri të koalicionit, e që sipas tij duhet të ketë një koalicion stabil.
Dugolli në emisionin Pressing në T7 tha se populli dëshiron që të ketë një koalicion më të gjerë e më stabil.
“E kanë obligim me i bo institucionet. Këto vonesa i ka ato arsyet, ndryshimi i ligjit, numërimi nëpër komuna për deputetë, dështimet që ju ndodhën, janë shumë faktorë. Kur të dihet rezultati përfundimtar, të fillojë ai diskutimi për ndërtimin e qeverisë, mendoj që njerëzit dojnë që të kenë një koalicion më të gjerë, e më stabil.
Është e nevojshme një koalicion stabil sepse në rast nëse ndërtojmë një qeveri me minimumin e mundshëm, dhe nuk bëjmë planifikime për qëndrueshmëri as pas një viti, atëherë nuk kemi as besueshmëri të madhe para faktorit ndërkombëtarë, për një stabilitet dhe shumë detyra që duhet t’i kryejë shteti”, tha ai.
Tutje, Dugolli thotë se askush nuk e ka lluksin të refuzojë apo ta kundërshtojë bashkëpunimin, pasi sipas tij, këtë e ka obligim kushtetues.
“Unë mendoj që s’e ka lluksin askush, as të refuzojë e as të kundërshtojë bashkëpunimin, por e ka obligim kushtetues. Partisë fituese të zgjedhjeve i mbetet barra që të prijë në proces negociator. Unë mendoj që do ta bëjë, duhet ta bëjë. Ai zhargon(Kurti i quajti hajvana opozitën), edhe për ne këtu ka qenë i pa pranueshëm, nuk duhet politikanët që të kenë një gjuhë të tillë të komunikimit”, tha Dugolli.