Vullnet Bugaqku nga KDI ka kritikuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit pa u respektuar afati ligjor për ankesat.
Ai ka thënë se kandidatët për deputetë ose partitë kanë të drejtë ankese pas përfundimit të numërimit të votave.
“Sipas Ligjit të Zgjedhjeve të Përgjithshme dhe sipas disa rregulloreve të tjera që PZAP-i dhe KQZ-ja, pas përfundimit të numërimit të votave lejohet një afat i ankesave ndaj këtyre rezultateve ose gjatë administrimit të rezultateve të rinumërimit dhe kandidatët për deputetë dhe partitë politike kanë mundësi që brenda 48 orëve në momentin e mbylljes së rinumërimeve të bëjnë ankesë në PZAP nëse ndonjëri nga kandidatët mendon që iu është bërë e padrejtë”, deklaroi ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ai e konsideron të çuditshme vendimin e KQZ-së për të shpallur rezultatet nesër, duke mos respektuar këtë të drejtë ligjore.
“Është e habitshme dhe paksa e çuditshme se si KQZ-ja pas mbylljes në rinumërimit ka njoftuar se nesër në orën 10:00 do të bëjë shpalljen e rezultateve, duke mënjanuar kështu një të drejtë ligjore që është e përcaktuar në Ligj që t’iu mohohet e drejta e ankesës deputetëve ose partive. Kam drojë që vendimi i nesërm i KQZ-së mund të anulohet nga ana e PZAP-it nëse ankimohet nga partitë politike ose nga ndonjë kandidat, për faktin që ka mënjanuar një të drejtë ligjore”, deklaroi ai.
KDI thekson se respektimi i këtij afati është thelbësor për ligjshmërinë e procesit zgjedhor dhe për garantimin e të drejtave të subjekteve politike dhe kandidatëve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot (e shtunë) në ora 10:00 do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.






