Fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit ka hyrë në një fazë ku ironia, metafora dhe videot satirike po zëvendësojnë debatet politike të zakonshme. Kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, kanë shkëmbyer replika në rrjetet sociale, në një betejë që po zhvillohet mes imazheve simbolike dhe mesazheve të koduara.
Gjithçka nisi pas një deklarate të Sali Berishës, i cili pretendoi se gjatë vizitës së Edi Ramës në Strasburg në tetor 2022, ishte anuluar një darkë zyrtare për shkak të sjelljes së papërshtatshme të kryeministrit.
“U turpërova kur mora vesh se kreut të narkoshtetit shqiptar ia kishin anuluar darkën zyrtare në Këshillin e Evropës sepse ishte sjellë si vigan dhe jo si kryeministër, në mënyrën më të padenjë dhe këtë ua ka fshehur shqiptarëve,” u shpreh Berisha.
Në reagim, Rama postoi një video me një buf, të shoqëruar me zërin e Berishës dhe komentin ironik:
“Vazhdon rrjedhja e lirë…”, një referencë që duket se e cilëson Berishën si një zë që flet pa filtër dhe në mënyrë të vazhdueshme, duke e quajtur më herët edhe “buf kënete”.
Në këtë atmosferë Lulzim Basha është rikthyer në rrjetet sociale me një video satirike që kujton filmat pa zë të Charlie Chaplinit. Ai shfaqet duke buzëqeshur dhe tundur kokën, ndërsa në sfond dëgjohet një këngë parodike me tekstin:
“Rama të gjithë shokët në burg i ka rras, ishalla i shkon edhe vetë nga pas…”Videoja, e cila zgjat vetëm pak sekonda, shoqërohet me komentin:“I fundit të mbyllë derën…”
Por ironia nuk përfundon këtu. Në një tjetër postim, Basha i kërkon Ramës të përballet në debat me Berishën:“O Rame, të paska kërku shoku jot në debat. Dil në debat mo Rame.”
Rama i përgjigjet duke përjashtuar çdo mundësi përballjeje:“Me kë, mor Lul? Mos më thuaj që është fjala për bufin…”
Më tej shton: “Si të dal unë në debat me një buf këneta dhe jo me ty? Kur nuk dal me ty që ma këndove himnin aq gjatë, harroje!”
Në një tjetër shkëmbim, Basha ngre pyetje për figurat politike të afërta me Ramën dhe Berishën: “I kujt është Elvis Roshi, i joti apo i atij, apo i të dyve bashkë Rame? Dil në debat dhe trego çfarë ju lidh!”
Rama nuk i kurseu batutat, duke e sfiduar Bashën:“Thuaje ndonjë llaf për bufin! Se po të ftohen euroatlantikët, jo doktori, jo shoku…”