Brukseli po i kërkon Kosovës zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit. Këtë së fundmi e ka bërë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josef Borrell. Por analistët politikë në vend thonë se Brukseli duhet të ushtrojë trysni te Serbia e cila tash e sa vjet nuk i respekton marrëveshjet e arritura në dialog.
Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, të enjten ka kërkuar nga Kosova që të implementojë marrëveshjen për Asociacionin dhe vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit.
Këto deklarime të Borrellit janë komentuar nga analistët në vend, të cilët kanë kërkuar nga shefi diplomacisë evropiane që kërkesa të ketë edhe për palën serbe.
“Kosova ka marrë obligime me marrëveshjen e 2013-tës që është ratifikua në Kuvendin e Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare që është mbi ligjet vendore, andaj çdo marrëveshje që është konform ligjeve dhe Kushtetutës duhet të zbatohet, në këtë rast edhe Asociacioni e ka një vendim të gjykatës kushtetuese dhe Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë të frikësohet nga ajo dhe duhet të ulet dhe ta akomodoj një marrëveshje në kuadër të Gjykatës Kushtetuese”, thotë analisti Gazmir Raci.
“Mendoj që nuk është dashur të paktën publikisht ta thotë një zyrtar i lartë i politikës së jashtme të BE-së duke e ditur se ata qe 11 vite nuk po janë në gjendje që ta bindin Serbinë që ta njoh Kosovën, pra mendoj se sa i përket asociacionit të Komunave me shumicë serbe ai mund të bëhet vetëm me një kusht pra, në fund apo në marrëveshjen gjithëpërfshirëse ku na njeh Serbia. Në momentin që na njeh Serbia ajo mund të hy në fuqi dhe kjo do të ishte përgjigja më e mirë për të gjithë, edhe për partnerët tonë ndërkombëtar, por edhe për vet serbët e Republikës së Kosovës”, tha analisti Dritëro Arifi, raporton rtklive.
Televizioni ka pyetur qeverinë se si do t’i përgjigjen kërkesës së Borrellit, për çka zëdhënësi i saj, Përparim Kryeziu, ka thënë se kërkesat e Qeverisë për këto dy çështje tashmë janë të njohura, duke iu referuar deklarimit të kryeministrit Albin Kurti ditë më parë.
Ai gjatë një konference për medie pati deklaruar se për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e ka thënë qëndrimin e qartë Gjykata Kushtetuese, derisa ka konfirmuar se çështja e Manastirit është diskutuar edhe në takim me sekretarin e Shtetit, Anthony Blinken në SHBA. Borrell ka thënë se BE-ja vazhdimisht u ka përkujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë me shpejtësi dhe në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit pa ndonjë vonesë të mëtejshme. Sipas tij, të dyja palët, Kosova dhe Serbia ranë dakord për themelimin e Asociacionit në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja ishte ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës dhe Kosova duhet të përmbushë detyrimin e saj ligjor dhe të zbatojë atë pa vonesa, tha diplomati evropian.