Kryediplomatja e re e BE-së, Kaja Kallas, së shpejti do të dalë me një qëndrim për atë se si do të vazhdohet procesi i ndërmjetësimit të procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, nëse do të vazhdohet përmes një Përfaqësuesi Special siç ka qenë gjatë mandatit të Josep Borell apo nëse vetë Kallas do ta marrë përsipër ndërmjetësimin.
Kështu kanë thënë nga Brukseli.
Një ndër problemet më kokëçarëse për shefen e re të Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, do të jetë edhe çështja e dialogut dhe procesi i normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Deri më 31 janar Kallas do të ketë edhe ndihmën e emsisarit sllovak, Miroslav Lajcak, të cilit i skadon edhe mandati i dhënë nga Brukseli për ndërmjetësim.
Por cila do të jetë qasja e Kallas në raport me procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, a do të marrë barrën mbi vete apo do të emërojë një emisar të ri? Për këtë Gazeta Express ka dërguar pyetje në Bruksel.
Zëdhënësja e re e BE-së, Anitta Hipper ka thënë se BE-ja do të dalë me qëndrim së shpejti lidhur për atë se si do të procesdohet tutje për këtë çështje. Hipper gjithashtu ka theksuar se mandati i Lajçak mbetet valid deri më 31 janar 2025.
“Mandati i Përfaqësuesit Special të BE -së Miroslav Lajçak mbetet i vlefshëm deri në fund të janarit. Së shpejti do të bëjmë një njoftim për të ardhmen”, ka thënë Hipper për Gazetën Express.
Kohë më parë janë përfolur disa emra potencialë për të zëvëndësuar sllovakun Miroslav Lajcak në pozitën e emisarit. Megjjthatë Brukseli kishte vendosur t’ia vazhdonte Lajçakut mandatin deri më 31 janar 2025, në mungesë të një konsensusi për ndonjë prej emrave që përfoleshin.
Një ndër emrat e përfolur për emisar ka qenë edhe ish-kryediplomati finlandez, Pekka Haavisto, për të cilin është raportuar. Nga MPJ e Finlandës më 4 tetor 2024 në një përgjigje për Gazetën Express të pyetur lidhur me përmendjen e Haavisto, kanë deklaruar se po presin që Komisioni i ri Evropian të marrë detyrën.
“Në përgjithësi, emërimi i Përfaqësuesit Special të BE-së bie nën mandatin e Përfaqësuesit të Lartë dhe Zëvendës Presidentit. Për momentin, ne presim që Komisioni i ri dhe Përfaqësuesja e Lartë të marrin detyrën në muajt e ardhshëm dhe që Përfaqësuesja e Lartë dhe Zëvendës Presidentja e re të përcaktojë prioritetet e saj, duke përfshirë dialogun Beograd-Prishtinë”, thuhej në përgjigjen e MPJ së Finlandës.