Konflikti i familjes Beckham ka dalë përfundimisht nga korniza e thashethemeve tabloide dhe është shndërruar në një skandal të hapur që po trondit Hollywood-in.
Brooklyn Beckham ka reaguar publikisht përmes një deklarate të gjatë në Instagram, ku akuzon prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, se kanë tentuar prej vitesh të “kontrollojnë narrativën” e jetës së tij dhe se janë përpjekur “në mënyrë të vazhdueshme të shkatërrojnë” martesën e tij me Nicola Peltz.
Brooklyn, i cili është i distancuar nga familja prej rreth tre vitesh, shpjegon se ka zgjedhur të heshtë për një kohë të gjatë për të ruajtur privatësinë, por sipas tij, kjo heshtje është shfrytëzuar kundër tij.
Foto: Instagram
“Kam heshtur për vite me radhë dhe kam bërë çdo përpjekje që këto çështje të mbeten private. Fatkeqësisht, prindërit e mi dhe ekipi i tyre kanë vazhduar t’i drejtohen mediave, duke mos më lënë asnjë zgjidhje tjetër veçse të flas vetë dhe të tregoj të vërtetën për disa nga gënjeshtrat që janë publikuar”.
Ai thekson qartë se nuk kërkon pajtim me familjen dhe se kjo deklaratë është një akt vetëmbrojtjeje.
Foto: Instagram
“Nuk dua të pajtohem me familjen time. Nuk jam duke u kontrolluar nga askush. Për herë të parë në jetën time po qëndroj për veten time”.
Në deklaratën e tij, Brooklyn e përshkruan marrëdhënien me prindërit dhe vëllezërit si të rreme dhe të ndërtuar mbi fasada publike. Sipas tij, lidhjet familjare janë mbajtur gjallë vetëm përmes “postimeve të sforcuara në rrjetet sociale” dhe daljeve formale në evente familjare.
Foto: Instagram
Ai i akuzon prindërit se kanë shpërndarë “gënjeshtra të panumërta” në media për jetën e tij personale dhe për gruan e tij.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës i kushtohet marrëdhënies me Nicola Peltz, për të cilën Brooklyn thotë se prindërit e tij kanë bërë gjithçka për ta penguar.
I njëjti pretendon se nëna e tij, Victoria Beckham, e anuloi në momentin e fundit realizimin e fustanit të nusërisë së Nicolas dhe madje u përpoq ta bindte atë të nënshkruante dorëheqjen nga të drejtat mbi emrin e tij përpara se të martohej.
Foto: Instagram
Brooklyn ndalet edhe te një moment shumë i ndjeshëm nga dita e dasmës, duke treguar se si nëna e tij ia prishi vallëzimin e parë me bashkëshorten.
“Marc Anthony më thirri në skenë, ku sipas programit duhej të ishte vallëzimi im romantik me gruan time, por në vend të saj, nëna ime po më priste aty. Ajo kërceu në mënyrë shumë të papërshtatshme me mua, përpara të gjithëve. Nuk jam ndjerë kurrë më i parehatshëm dhe më i poshtëruar në gjithë jetën time”.
Foto: Instagram
Në fund të deklaratës, Brooklyn kundërshton narrativën e përhapur se Nicola Peltz e kontrollon jetën e tij, duke e quajtur këtë pretendim “krejtësisht të rremë”.
“E vërteta është e kundërta. Janë prindërit e mi ata që janë përpjekur të më manipulojnë”.
Ai e mbyll mesazhin me një deklaratë të qartë për mënyrën se si dëshiron të jetojë.
“Unë dhe gruaja ime nuk duam një jetë të formësuar nga imazhi, shtypi apo manipulimi. Gjithçka që duam është paqe, privatësi dhe lumturi për ne dhe familjen tonë të ardhshme”.
Foto: Instagram
Deklarata e Brooklyn ka shkaktuar reagime të forta në media dhe publik, duke vënë në pikëpyetje imazhin e familjes Beckham, e cila për vite me radhë është perceptuar si një nga familjet më të unifikuara dhe më të mbrojtura në botën e famës.












