12.8 C
New York
Saturday, November 16, 2024

Buy now

Britania po shqyrton mundësinë e ndalimit të pirjes së duhanit edhe në ambiente të hapura

- Advertisement -

Kryeministri britanik, Keir Starmer konfirmoi sot se qeveria që drejton po shqyrton marrjen e masave edhe më të ashpra kundër duhanit, ndoshta duke ndaluar pirjen e duhanit edhe në ambiente të hapura.

Konfirmimi erdhi pas një shkrimi të tabloidit “The Sun” se qeveria po shqyrton ndalimin total të duhanit në kopshtet e lokaleve dhe restoranteve si dhe në oborret e spitaleve, universiteteve dhe terreneve sportive.

Pirja e duhanit është ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2007 në bare, restorante dhe në shumicën e vendeve të punës, shkruan bbc.

Megjithatë, trajtimi dhe vdekshmëria nga sëmundjet e lidhura me pirjen e duhanit vazhdon t’i kushtojë Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) 2.5 miliardë funte (rreth 3 miliardë euro) në vit vetëm në Angli, sipas shifrave të NHS.

“Më shumë se 80 mijë njerëz vdesin në vit në Britaninë e Madhe për shkak të pirjes së duhanit”, tha Starmer në Paris gjatë një vizite te presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Prandaj, ne do të marrim vendime për të forcuar atë ndalim. Këto vdekje janë të parandalueshme dhe ne duhet të ndërmarrim veprime për të reduktuar barrën mbi NHS dhe taksapaguesit”, tha ai.

Qeveria laburiste e Starmerit ka thënë tashmë se do të sjellë legjislacionin e planifikuar nga ish-administrata konservatore për të ndaluar shitjen e duhanit për këdo që ka lindur pas 1 janarit të vitit 2009. Sipas atij plani, i cili nuk u bë ligj sepse ndërkohë ishin zgjedhjet, çdo vit kufiri i moshës për blerjen e cigareve do të rritet me një vit, derisa përfundimisht blerja të bëhet e paligjshme.

Numri i duhanpirësve në Britaninë e Madhe ka rënë me dy të tretat që nga vitet 1970 dhe tani janë rreth 6.4 milionë ose 13 për qind e popullsisë, sipas të dhënave zyrtare.

Në vitin 2007, mosha ligjore për shitjen e duhanit u rrit nga 16 në 18 vjet, së bashku me ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura.

Ndërsa profesionistët e shëndetit e kanë mirëpritur kryesisht ndalimin e pirjes së duhanit në natyrë, të tjerë argumentojnë se është ndërhyrje e panevojshme shtesë e qeverisë në zgjedhjet e stilit të jetesës së njerëzve dhe një tjetër barrë e mundshme për bizneset që ende luftojnë për të rikuperuar humbjet gjatë pandemisë së coronavirusit dhe infeksioneve pasuese.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit