Kreu i diplomacisë britanike, David Lammy, njoftoi se Britania e Madhe do të pezullojë 30 nga gjithsej 350 licencat e eksportit për armët e destinuara për Izraelin.
Vendimi erdhi pasi qeveria e re laburiste tha se kishte zbuluar se kishte një “rrezik të qartë” që armët britanike do të përdoreshin në shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar në lidhje me trajtimin e të burgosurve palestinezë dhe dërgimin e ndihmave në Gaza, raportoi Independent.
Lammy tha se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por se nuk ka mbetur i kënaqur me përgjigjet që ka marrë pasi i ka shprehur shqetësimet e tij qeverisë izraelite.
Kreu i diplomacisë britanike vuri në dukje se vendimi bazohej në shqetësimin në rritje për veprimet e Izraelit që kur ai mori detyrën pas zgjedhjeve të përgjithshme në korrik.
Në fjalimin e tij në Dhomën e Ulët të Parlamentit, Lammy deklaroi se veprimet e Izraelit vazhdojnë të çojnë në viktima të mëdha civile, shkatërrim të gjerë të infrastrukturës civile dhe vuajtje të panumërta.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Laila Moren, nga radhët e Liberal Demokratëve, tha se një veprim i tillë është dashur të ndërmarrë kohë më parë nga qeveria e kaluar, e cila nuk ka treguar asnjë iniciativë në këtë çështje.
“Liberal demokratët e mirëpresin këtë vendim si një hap përpara të bërë nga qeveria”, u shpreh Moren.