Brighton ka shënuar fitore në udhëtim te Arsenali, duke ia ulur edhe më shumë gjasat për titull, sfidë që u zhvillua në kuadër të xhiros së 36-të në Premierligë.
Mysafirët zhvilluan një paraqitje fantastike për të fituar në fund me rezultat bindës 0:3.
Brighton kishte rastin më të mirë pas vetëm 12 minutave lojë duke rrezikuar me Julio Enciso, por Ramsdale me një pritje të bukur arriti ta ndalë.
Pas kësaj, Arsenal nisi të rrezikojë më shumë duke provuar me anë të Martin Odegaard dhe Leandro Trossard, or asnjëri prej tyre s’i finalizoi.
Ishte Julio Enciso që shënoi me kokë pas një aksioni të shpejtë, ku Estupinian e asistoi nga afërsia (51′).
Brighton arriti ta ruajë këtë rezultat deri vonë ndërsa përfitoi nga një gabim në mbrojtje, me një top që u kthye te Deniz Undav i cili me një parabolë e la të shtangur Ramsdale për ta dyfishuar epërsinë.
Kurse, në kohën shtesë fitoren e Brightonit e vulosi Pervis Estupinan duke përfituar nga një top i kthyer (90+6′).
Pas kësaj humbje, Arsenal mund të thuhet se i ka humbur gjasat për titull duke pasur 81 pikë, katër më pak se Man City, që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndërsa, Brighton tani ngrihet në pozitën e gjashtë në tabelë me 58 pikë të mbledhura pas 34 xhirove të zhvilluara.
Në xhiron e radhës, Arsenal do të jetë mysafir i Nottingham Forestit derisa Brighton e pret skuadrën e rënë nga Premierliga, Southampton.