Brenda një viti, mbi 2 146 çifte në Kosovë përfunduan martesën e tyre me shkurorëzim. Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2024, ndonëse shënohet një rënie e lehtë krahasuar me vitin 2023, numri i shkurorëzimeve mbetet shqetësues.
Në vitin 2024, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 2 146 raste të shkurorëzimeve, duke shënuar një ulje prej 66 rasteve ose 3 për qind më pak krahasuar me vitin paraprak, 2023.
Sipas të dhënave të publikuara, numri më i madh i shkurorëzimeve është regjistruar në komunën e Prizrenit me 209 raste (9,7%), pasuar nga Prishtina me 165 raste (7,7%) dhe Peja me 155 raste (7,2%).
Sa i përket kohëzgjatjes së martesës, shumica e shkurorëzimeve kanë ndodhur në periudhën nga viti i pestë deri në të nëntin e martesës, që përbëjnë 32,4% të rasteve, ndërsa 15,1% e çifteve janë ndarë pas 10 deri në 14 vjet martesë.
Të dhënat tregojnë për një trend të qëndrueshëm, me ndryshime të lehta nga viti në vit, ndërsa ekspertët thonë se faktorët që ndikojnë në shkurorëzim mbeten të shumtë dhe të ndërlikuar – nga vështirësitë ekonomike deri te mungesa e komunikimit në çift.