Deri me tani në zyrën e tij ai ka pritur ambasadorin e Francës, Britanisë së Madhe dhe ambasadorët e disa vendeve tjera evropiane, ndërsa, në aktivitete jashtë zyrës ka takuar ambasadorin e Gjermanisë dhe atë të BE-së në Kosovë, raporton Nacionale.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, i cili është edhe kryetar i Komunës së Mitrovicës, ka treguar se me mysafirët ka diskutuar për temat që janë me rëndësi për Kosovën. Temë qendrore e këtyre takimeve ka qenë situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, planet e Hamzës për qeverisjen e ardhshme dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës.
Mysafiri i fundit që e ka pritur Hamza ka qenë ambasadori i Francës në Kosovës, Olivier Guerot.
“Një bashkëbisedim i frytshëm me Ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, për raportet dhe miqësinë ndërshtetërore Kosovë- Francë, për shqetësimet e gjithë qytetarëve të vendit tonë. Kosova është e bekuar me aleatët e saj, të cilët përherë na qëndruan afër dhe na mbështetën. Ne do t’i rishikojmë në të ardhmen të gjitha mundësitë që kemi për rritjen e bashkëpunimit të ndërsjellë, në shumë projekte ekonomike dhe kulturore. Ambasadorit Olivier Guerot i kërkova mbështetje diplomatike dhe politike edhe për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kosovës i duhet bashkëpunimi dhe koordinimi i ngushtë me partnerët e saj, që me hapa të sigurt ta vazhdojë rrugëtimin evropian!”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në “Facebook”.
Dy ditë më herët, ai është takuar edhe me pesë ambasadorë tjetër evropianë, me të cilët ka diskutuar për proceset integruese të Kosovës.
Ambasadorëve në fjalë, Hamza ua ka prezantuar edhe planet e tij për qeverisjen e re që synon ta drejton pas zgjedhjeve të reja.
“Me ftesë të Ambasadorit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, një takim të përbashkët dhe shumë domethënës kisha me pesë ambasadorë evropianë. Me Erikun dhe kolegët e tij, ambasadoren Karin Lobezo, ambasadorët Johanes Ëesterlund, Grégoire Cuvelier dhe Matti Nissinen, kishim rastin të bisedojmë për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, për planet e mia për qeverisjen e re që presim të sjellë një ndryshim rrënjësor dhe të domosdoshëm, sidomos në koordinimin me aleatët”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ndër të tjera, në këtë takim, ai ka kërkuar ndihmën e tyre për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
“Ambasadorëve ua shpreha nevojën e përkrahjes së Republikës së Kosovës në votimin për Këshillin e Europës. Përkundër polarizimeve politike, peizazhi politik kosovar, pozitë dhe opozitë, qëndron unik për nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Po ashtu, ne duhet ta rrisim ndërveprimin që të sjellim investime ekonomike dhe përkrahje diplomatike në fazën e ardhshme të integrimeve euroatlantike”, ka shkruar ai.
Dite më parë, ai ka takuar edhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde. Ky i fundit, në fund të muajit mars, kishte vendosur që një ndeshje të klubit të basketbollit “Trepça” të përcillte bashkë me kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
Ndërsa, më 8 prill, Hamza mysafir kishte ambasadorin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Bashkë me diplomatin evropian, ai kishte vizituar komunitetin rom që jetojnë në Komunën e Mitrovicës.
Dy ditë pasi ishte nominuar nga PDK-ja për kryeministër, Hama në zyrën e Komunës së Mitrovicës i kishte shkuar ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves.
“Sot kisha kënaqësinë të pres në takim dhe ti uroj mirëseardhjen ambasadorit të Britanisë së Madhe, z.Jonathan Hargreaves. Me ambasadorin Hargreaves diskutuam mbi gjendjen aktuale në vend dhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha te ndryshme të interesit të përbashkët të cilat ndikojnë në zhvillimin e vendit”, kishte shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.