Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka deklaruar se gabimi më i madh i tij në Kuvend ka qenë vota që i dha Dimal Bashës për kryeparlamentar.
Ai ka kërkuar falje publikisht për këtë vendim, duke thënë se nuk do ta kishte votuar kurrë nëse do ta dinte se Basha është bashkëautor i një punimi që flet kundër UÇK-së.
“Në jetën tonë duhet të dimë e të mësohemi, të pranojmë gabimet dhe të kërkojmë falje”, tha Brahimaj në intervistën e tij në emisionin Five në RTV Dukagjini.
Ai u shpreh se në vitin 2012 kishte qenë në Hagë dhe nuk kishte pasur asnjë informacion lidhur me këtë çështje.
“Asnjë gazetë apo portal këto vite nuk e ka publikuar se Dimal Basha ka qenë autor i një shkrimi aq të tmerrshëm kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në asnjë rrethanë, për asnjë lloj çmimi, nuk do ta kisha votuar për kryeparlamentar sikur ta dija për atë shkrim që e ka bërë”, shtoi ai.
Brahimaj tha se nëse merret një iniciativë për shkarkimin e Bashës, ai do të ishte i pari ndër deputetët që do ta nënshkruante dhe do të votonte për shkarkimin e tij.