Këshilltari i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Luftar Braha, ka akuzuar Qeverinë për bllokadë totale ndaj projekteve të rëndësishme për kryeqytetin, duke e cilësuar këtë si një pengesë të paarsyeshme që prek drejtpërdrejt qytetarët.
Duke folur për projektin e “Unazës së Qytetit”, që nga zyrtarët komunal është thënë që për qëllime politike qeveria nuk po e mbështet këtë projekt, Braha tha se pavarësisht që kjo çështje nuk është në domenin e tij, megjithatë shprehet se deri më tani nuk ka ende ndonjë ndihmë nga qeveria për këtë projekt.
Sipas tij, Ministria e Financave dhe ministri të tjera po e vështirësojnë zbatimin e projekteve kyçe, që janë të domosdoshme për zhvillimin e Prishtinës.
“Fatkeqësisht nuk ka bisedime me qeverinë, unë nuk jam i thirrur që të flas për pjesën politike të kësaj punë, por me ato informata që kam nuk ka bisedime, ka heshtje totale, ka bllokadë totale. Ka lëvizje edhe në projekte të tjera që ne jemi duke i filluar dhe janë të domosdoshme për Prishtinën, për zhvillimin e Prishtinës, dinamikat, për mirëqenien e qytetarëve, ka bllokada të jashtëzakonshme sidomos nga Ministria e Financave momentalisht, por edhe nga ministrit e tjera janë të pa arsyeshëm sepse nuk janë bllokada ndaj një qeverisje lokale, janë bllokada ndaj qytetareve të Prishtinës dhe janë të vetmit qytetarët e Prishtinës që marrin llogari në udhëheqjen komunale. Marrin llogari me votën që e japin ne zgjedhjet lokale”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Një nga projektet që është përballur me pengesa, sipas tij, është ai për Sheshin “Xhorxh Bush”.
Braha theksoi se argumenti i përdorur për ndalimin e punimeve, se zona është e mbrojtur, nuk qëndron.
“Sikurse është kjo e fundit për sheshin Xhorxh Bush, ata janë thirrur që është zonë e mbrojtur që vërteta është që nuk është zonë e mbrojtur, janë disa objekte në afërsi të asaj zone që janë të mbrojtura, por jo ajo zonë ku është duku u punuar, nuk ka të bëjë fare me zonën e mbrojtur. Nëse t’i synon që t’i thuash zonë e mbrojtur Rektoratit, Rektorati nuk është duke u prekur, është duke u prekur sheshi, nëse konsideron që asfalti i sheshit është zonë e mbrojtur, nuk e kuptoj pse Roma po hap tunele dhe po hap metro, kur është krejt Roma mbi antikitet. Edhe ne duhet të vazhdojmë edhe nëse hapet dikun asfalti dhe mund të ketë gjetje të trashëgimisë kulturore, merren masat, punohet me kujdes dhe e hapim tek e fundit dhe e gjejmë e bëjmë një shesh shumë të bukur të antikitetit. Pse mos ta kemi jo veç Ulpianën, por edhe brenda ne Prishtinë”, ka thënë ai.