Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) bën të ditur se e ka miratuar Letrën Këshilluese për Kreditë e Sindikuara.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se kjo mundëson zgjerimin financimit të sektorit bankar ndaj huamarrësve vendorë për projekte të mëdha strategjike dhe afatgjatë, përfshirë projektet në energji të pastër dhe investime tjera që janë intensive në kuptim të kapitalit.
“Korniza rregullative lehtëson aranzhimet e nevojshme dhe krijon mundësi shtesë të kreditimit të ekonomisë, duke diversifikuar rrezikun kreditor me kontribut në stabilitetit financiar, krahas stimulimit të investimeve në sektorë të caktuar të vendit”.
“Letra Këshilluese e cila paraqet pritjet mbikëqyrëse ka për qëllim krijim e kornizës rregullatore, zgjeron kapacitetet kredidhënëse të sektorit financiar që mbështet zhvillimin e ekonomisë, duke reduktuar rrezikun e koncentrimit, nxitjen e investimeve me pjesëmarrje më të gjerë duke nxitur potencialisht zhvendosje nga sektorët tradicional, njëkohësisht duke e rritur efikasitetin e procesit të financimit të projekteve të mëdha, në respekt të plotë të konkurrencës”, thuhet në njoftim.
BQK shton se krahas zhvillimit të tregut, bankat duhet të zhvillojnë politikat dhe procedurat e brendshme që lidhen me kreditë e sindikuara duke marrë parasysh Ligjin për Konkurrencën, në mënyrë që të sigurohet konkurrencë e drejtë në pajtim me praktika më të mira ndërkombëtare.