Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë, ka nënshkruar Marrëveshje të Mirëkuptimit me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Kjo u bë me qëllim për të avancuar bashkëpunimin dhe mbështetur aspektin akademik, avancimin e njohurive ekonomike dhe financiare, shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimin për projekte të përbashkëta në fushën e ekonomisë, financave dhe edukimit financiar.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili potencoi se ky Memorandum pritet të kontribuojë në zhvillimin dhe promovimin e njohurive në fushën e ekonomisë e financave në përgjithësi dhe edukimit financiar në veçanti.
Përmes ligjëratave të dakorduara në fushën e ekonomisë, banka dhe financa, si dhe aktiviteteve tjera të përbashkëta, kjo nismë ka për qëllim kontributin në reduktimin e hendekut midis kërkesave të tregut të punës dhe edukimit
“Aktivitetet e përcaktuara në këtë Memorandum do të ndihmojnë në avancimin e bashkëpunimit midis BQK-së dhe Fakultetit Ekonomik, duke kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e njohurive në fushën e ekonomisë dhe financave. Zhvillimet në sektorin financiar janë thelbësore për zhvillimin ekonomik të një vendi. Sektori financiar është pjesë integrale e strukturës ekonomike dhe ka një ndikim të madh në shumë aspekte të ekonomisë së një vendi”, potencoi Guvernatori Ismaili me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes.
Shkëmbimi i publikimeve dhe të dhënave, ligjëratat për studentët, angazhimi i ekspertëve, bashkëpunimi hulumtues, mundësia e praktikës për studentët, shqyrtimi i kurrikulës dhe organizimi i ligjëratave me ekspertët e BQK-së, janë disa nga aktivitetet e zotuara nga BQK në këtë Memorandum.
Pas nënshkrimi të këtij Memorandumi, Guvernatori Ismaili para studentëve të Fakultetit Ekonomik mbajti ligjëratën me titull “Banka Qendrore dhe roli i saj në sistemin financiar të Republikës së Kosovës” dhe në fund hapi zyrtarisht edhe thirrjen për çmimin vjetor “Ekonomist i ri”