“Bota është në prag të një lufte më të madhe”, sekretari i përgjithshëm i OKB-së ngre alarmin

- Advertisement -

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje palëve në konflikt në Lindjen e Mesme që të ndërpresin menjëherë armiqësitë, duke paralajmëruar për rrezikun e zgjerimit të luftës në të gjithë rajonin me pasoja serioze globale.

Në një deklaratë për mediat mbi situatën aktuale, ai theksoi se mesazhi i tij është i qartë për të gjitha palët e përfshira.

“Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin, është koha e duhur për të ndaluar luftën që po shkakton vuajtje të mëdha njerëzore dhe tashmë po sjell pasoja shkatërruese ekonomike. Për Iranin, të ndalojë sulmet ndaj fqinjëve të tij”, deklaroi Guterres.

Shefi i OKB-së nënvizoi se konflikti ka hyrë tashmë në muajin e dytë dhe çdo ditë shtesë përshkallëzon vuajtjet njerëzore, shkatërrimin dhe rrit numrin e sulmeve pa dallim, përfshirë ato ndaj civilëve dhe infrastrukturës.

Guterres theksoi se pasojat e konfliktit tashmë po ndihen globalisht, veçanërisht për shkak të kufizimeve në lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e energjisë dhe ushqimeve në shumë vende të botës.

Ndërkohë, ai njoftoi se është krijuar edhe një task-forcë e posaçme për t’iu përgjigjur rreziqeve që lidhen me ndërprerjet në tregtinë detare, të shkaktuara nga situata në Ngushticën e Hormuzit.

Të ngjashme

Të fundit