Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar ndaj idesë së komisionerit për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, për krijimin e një udhërrëfyesi të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Bosch e ka quajtur “të pa kuptimtë” një propozim të këtillë, duke e parë si rast të paprecedent me shtetet e tjera, kur u është ofruar lëvizja lirshëm nëpër zonën Schengen.
“Edhe pse Kosova i plotëson të gjitha kushtet sipas komisionit të BE-së, ky njeri vjen me kërkesa që nuk i kemi bërë kurrë për të gjitha vendet që kanë marrë lirinë e vizave gjatë viteve të fundit. Unë me të vërtetë nuk e di se si të arrihet drejtësia për Kosovën. Si kongresi i PE ashtu edhe i PPE në Roterdam kohët e fundit kërkuan që më në fund të zbatohej liberalizimi, më pas vjen kjo bisedë e pakuptimtë e #Varhelyi”, ka shkruar ish-ambasadori holandez.
Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi, iu drejtua Parlamentit Evropian, duke i informuar ata për rezultatet e Samitit midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur javën e kaluar.
Várhelyi tha se Kosova vazhdon të presë për liberalizimin e vizave dhe se kjo është çështje që duhet adresuar për të ecur përpara.
“Por ne duhet të jemi të qartë se ka disa fusha, si lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit, në të cilat vendet anëtare presin rezultate të qarta”, deklaroi ai.
Varhelyi tha gjithashtu se Komisioni Evropian është i gatshëm të ndihmojë Kosovën në mënyrë të ngjashme me Shqipërinë për të hartuar një udhërrëfyes, së bashku me vendet anëtare për të adresuar shqetësimet specifike.