Dokumentet tregojnë se investime me vlerë 6 miliardë dollarë (4,7 miliardë paund) janë kanalizuar nëpër kompani në Ishujt e Virgjër Britanikë (BVI). Por provat sugjerojnë se këto investime janë menaxhuar nga territori britanik, gjë që do të thotë se ato duhet të ishin tatuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Një pjesë e parave që financuan Chelsea FC, kur Abramovich e zotëronte klubin anglez, mund të gjurmohen deri te kompanitë e përfshira në këtë skemë, sipas BBC-isë dhe Byrosë së Gazetarisë Investigative.
Në qendër të skemës është Eugene Shvidler, ish-drejtor i Chelsea FC dhe biznesmen miliarder, i cili aktualisht po sfidon sanksionet britanike për lidhjet e tij me Abramovich-in. Shvidler jetoi në Britani nga viti 2004 deri në vitin 2022, përpara se të transferohej në SHBA pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Një ekspert tatimor tha për BBC-në se fakti që Shvidler ka marrë vendime strategjike mbi investimet, ndërsa jetonte në Britani është një “provë e fortë” që kompanitë duhet të ishin tatuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Dokumentet e rrjedhura tregojnë se nga 2008, Shvidler kishte fuqi të plotë për të menaxhuar investimet e Keygrove Holdings Ltd, kompania në BVI që mbante këto investime. Ai vepronte nëpër Millennium Capital Ventures Ltd, e cila i jepte atij autoritetin për të vendosur mbi investimet.
Një padi e vitit 2023 nga Komisioni i letrave me vlerë në SHBA kundër Concord Management-it, një firmë në Nju-Jork që këshillonte kompanitë e Abramovich për investime, e identifikoi Shvidlerin si “Personi B” që merrte vendimet për investime.