Borussia Dortmund i është bashkuar garës për të siguruar shërbimet e portierit të Ajaxit Diant Ramaj.
Ramaj, me prejardhje nga Kosova por që ëndërron ta përfaqësojë Gjermaninë në nivelin ndërkombëtar, ka humbur vendin te skuadra holandeze dhe është i interesuar për një lëvizje këto ditë.
Sipas “SkySportDE”, Dortmundi është i interesuar për ta transferuar Ramajn e pastaj ta huazojë diku dhe ta kthejë në verë, për të zëvendësuar Gregor Kobel.
“Borussia Dortmund e ka shqyrtuar transferimin e mundshëm të Diant Ramajt. Dortmundi ka idenë për të nënshkruar me 23-vjeçarin nga Ajaxi dhe menjëherë ta huazojnë diku, ose në Bundesliga ose në Danimarkë. Bisedimet janë zhvilluar”.
“Kjo është përgatitje, në rast që Gregor Kobel largohet nga Dortmundi në verë”.
“Ramaj te Dortmundi në 48 orët e ardhshme është shumë e komplikuar dhe ai gjithashtu është me skuadrën për përballjen ndaj Feyenoordit, por mbetet aktive”, shkroi ndër të tjera Florian Plettenberg.
Ramaj ndërkohë vazhdon të kërkohet me ngulm nga Kosova, por deri më tani nuk ka dhënë përgjigje pozitive, kurse publikisht e ka konfirmuar se Gjermania mbetet prioriteti kryesor.