Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se mezi pret të punojë me Qeverinë e re të Serbisë.
Por, ai shtoi se veprimi në përputhje me vlerat dhe politikat e bllokut janë thelbësore për rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviq. Mezi pres të punoj me ju, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së. Rreshtimi përkrah dhe veprimi në përputhje me vlerat e BE-së dhe politikat e jashtme dhe të sigurisë, janë shenja thelbësore të orientimit strategjik”, ka shkruar Borrell në “X”.
Më 2 maj, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën Qeverinë e re, të kryesuar nga Millosh Vuçeviq, i cili paralajmëroi ditë më parë se Serbia nuk do t’i ndryshojë qëndrimet e mëparshme në lidhje me Rusinë dhe Kosovën.
Departamenti Amerikan i Shtetit u shpreh i zhgënjyer me propozimet për Qeverinë e re të Serbisë.