Situata në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimi i përbashkët në këtë rajon do të jetë një prej temave të samitit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që zhvillohet më 20 tetor në Uashington.
Së fundmi, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrel ka konfirmuar se ka arritur në këtë samit.
“Mbërrita në Uashington për të marrë pjesë në Samitin e sotëm BE-SHBA. Ne jemi të përkushtuar të forcojmë partneritetin tonë për vitet në vijim. Së bashku, ne duam të punojmë për një botë më të sigurt dhe më të qëndrueshme, për një të ardhme paqësore dhe të begatë për të gjithë”, tha ai.
Një ditë pas mbajtjes së samitit në Uashington, në Kosovë dhe Serbi do të nisin vizitën i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me kolegët e tij nga Gjermania, Franca dhe Italia. Vizita e përfaqësuesve ndërkombëtarë synon të ringjallë dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në BE thonë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që SHBA-ja të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi, por edhe rolin udhëheqës të BE-së si lehtësues në këtë proces.
Samiti SHBA-BE është i pari që zhvillohet pas më shumë se dy vjetësh. Nikoqir i takimit të së premtes do të jetë presidenti amerikan, Joe Biden, ndërkaq nga BE-ja në këtë samit do të marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Në këtë takim pritet të shprehet mbështetja e përbashkët për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus