Të mërkurën, Qeveria e Kosovës përkatësisht kryeministri, ministrja Artane Rizvanolli njoftoi për shkarkimin e Bordit të “Hidrodrinit”. Kryeministri Albin Kurti, tha se Ministrja e Ekonomisë, për shkak të veprimeve që venë në pikëpyetje besueshmërisë e ndërmarrje ka propozuar shkarkimin e bordit të drejtorëve, dhe se ka rekomanduar për emërimin e përkohshëm të anëtareve të këtij bordi.
Pas këtij vendimi të qeverisë ka reaguar Bordi i shkarkuar i “Hidrodrinit”.
Sipas tyre deri tek ky vendim erdhi pas shkarkimit që ata i bënë ata njeriut të Vetëvendosjes në këtë ndërmarrje, Dri Cenës.
Siç duket, ministrave në fjalë nuk i pëlqej shkarkimi dhe denoncimi i “njëanshëm” i bërë ndaj kryeshefit të preferuar, prandaj dhe morrën hak duke i propozuar qeverisë shkarkimin e bordit”, thuhet në reagimin e tyre.
Në reagimin e tyre ata kanë përmendur edhe terme si “autokraci” e “abuzim”, duke iu referuar veprimeve të qeverisë.
“I qëndruam besnik kësaj kauze për 18 muaj sa ishim në rolin mbikëqyrës, por nuk mund të vazhdonim më me tolerancë ndaj autokracisë, mashtrimit dhe abuzimit”, thuhet pos tjerash në reagimin e tyre.
Reagimi i plotë pa ndërhyrje:
Reagim i Komisionit të Auditimit lidhur me shkarkimin e bordit të drejtorëve të KRU Hidrodrini
Qeveria e Republikës së Kosovës, më 14.08.2024 ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të KRU “Hidrodrini”, Pejë, sipas propozimit të ministres Rizvanolli me arsyetimin se Bordi i Drejtorëve paska shkelur detyrat fiduciare dhe se ministrja ka humbur besueshmërinë e vendimmarrjeve.
Ky vendim erdhi 2 javë pasi që bordi kishte shkarkuar Kryeshefin Ekzektiv D.Cena për shkak te shkeljeve ligjore, dyshimit të bazuar për mashtrim dhe mosrealizimit te objektivave strategjike, të gjitha të evidentuara në vendimin për lirimin e tij nga detyra. Menjëherë pas shkarkimit, të gjitha shkeljet janë denoncuar në krime ekonomike me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale. Ndër më kryesoret është dyshimi për mashtrim me pasqyra financiare, të cilat më pas edhe cilësohen me opinion të kundërt nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Për të gjitha shkeljet e kryeshefit është njoftuar vazhdimisht ministria e ekonomisë. Më 13 mars 2024, ministrja pat kërkuar nga bordi që të bashkëpunojë me kryeshefin, nënvlerësoj vërejtjet tona dhe paralajmëroi shkarkimin e bordit nëse ai nuk reflekton.
Ne kishim marrë besimin e qeverisë mbi premisën për të redukuar humbjet e ujit, për ti dal përballë keqpërdorimeve, krimit, korrupsionit, nepotizmit e nën objektivin për ta zhvilluar ndërmarrjen, e që ishte edhe moto qeverisëse e kësaj qeverie. I qëndruam besnik kësaj kauze për 18 muaj sa ishim në rolin mbikëqyrës, por nuk mund të vazhdonim më me tolerancë ndaj autokracisë, mashtrimit dhe abuzimit. Me plot bindje, dinjitet e vendosmëri, bordi morri qëndrim unanim të adresoj keqpërdorimet në fjalë sipas detyrimit ligjor dhe kompetencës që ka për të vepruar institucionalisht.
Në të kundërtën, do të bëhej bashkëpjesëmarrës në to, siç parafrazon dijetari Tukidid!
Kryeshefi kishte marrë fuqi që nga fillimi nga dy ministrat e kësaj qeverie: A.Rizvanolli dhe E.Krasniqi me të cilët ka raporte të ngushta miqësore. Arsyet dhe interesat eventuale në mes tyre mbeten për t’u demaskuar në të ardhmen nga hetimet gjegjëse.
Siç duket, ministrave në fjalë nuk i pëlqej shkarkimi dhe denoncimi i “njëanshëm” i bërë ndaj kryeshefit të preferuar, prandaj dhe morrën hak duke i propozuar qeverisë shkarkimin e bordit.
Me përgjegjësi të plotë morale dhe materiale deklarojmë se kjo është arsyeja e vetme e shkarkimit dhe asnjë nga ato të përmendura në arsyetimin e ministres nuk qëndrojnë. Asnjëherë nuk ishim pjesë e matematikës dhe kalkulimeve me pasuri publike, por shërbyem me përkushtim enorm, me shumë nder e plot integritet. Prandaj, për vlerat që kemi mbase dhe paguam faturën!
Me respekt,
(Ish) Komisionit i Auditimit
Mevlyde Kelmendi Begolli
Driton Sylqa
Simon Balaj