Bordi i Paqes ka publikuar pranimin e Shqipërisë si një anëtare themeluese të organizatës ndërkombëtare të Paqes dhe Stabilitetit, në nivel global.
Në njoftimin e publikuar, “Bordi i Paqes” shprehet se “mirëpret Shqipërinë si anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje”, ndërsa grafika shoqëruese përmban simbole shtetërore dhe flamurin shqiptar.
“Bordi i Paqes mirëpret Shqipërinë si një anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje”, thuhet në postim.
Bordi i Paqes është themeluar zyrtarisht të enjten e 22 janarit gjatë një ceremonie të posaçme në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, në Davos. Presidenti amerikan,Donal Trump firmosi kartën e nismës së re ndërkombëtare dhe më pas këtë e bënë edhe anëtarët themelues të Bordit të Paqes, 19 shtete që ishin prezente, mes tyre edhe Kosova.
Shqipëria e përfaqësuar nga kryeministri Rama nuk mori pjesë. Kreu i qeverisë tha në Parlament se nuk ishte i pranishëm, pasi zgjodhi që të priste në Shqipëri vajzën e Donald Trump, Ivanka Trump.
Megjithatë aderimi i Shqipërisë në këtë organizatë të re u miratua edhe në Parlamentin e Shqipërisë me votat e mazhorancës dhe opozitës.






