Një pikë kalimi evakuimi për civilët që përpiqeshin të largoheshin nga rrethi Irpin në perëndim të Kievit u bombardua të dielën në mëngjes.
Mediat ndërkombëtare po filmonin në vendndodhje kur ra ajo që duket të ketë qenë një predhë artilerie, raporton CNN.
Në atë kohë një varg civilësh po kalonte përmes postbllokut.
Nuk ka detaje të menjëhershme për viktima.
Zyrtarët ukrainas thanë edhe dje se sulmet ajrore i kanë penguar banorët të largoheshin përpara se të fillonin evakuimet e dakorduara. Putin akuzoi Ukrainën për sabotim të përpjekjeve për armëpushim.
Një rund i tretë i bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës do të zhvillohet të hënën, sipas Davyd Arakhamia, anëtar i delegacionit ukrainas. Ai nuk dha detaje shtesë, përfshirë vendin ku do të zhvillohen ato.
Takimet e mëparshme u mbajtën në Bjellorusi dhe çuan në marrëveshjen e dështuar të armëpushimit për të krijuar korridoret humanitare për evakuimin e fëmijëve, grave dhe të moshuarve nga qytetet e rrethuara, ku qindra mijëra përballen me mungesë ushqimi dhe uji.