Produktet vendore po u duken më cilësore. Me gjithë që importi i prodhimeve serbe në Kosovë u lejua ditë më parë, një pjesë e qytetarëve kanë vendosur t’i bojkotojnë ato.
Nga Dogana e Kosovës i kanë treguar RTK-së se importi i prodhimeve serbe në Kosovë ka rënë dukshëm në dy vitet e fundit.
Sipas të dhënave të doganës, gjatë vitit 2022 u importuan mallra serbe në vlerë rreth 371 milionë euro, gjatë 2023 vlera e tyre ishte mbi 198 milionë euro, ndërsa këtë vit mbi 78 milionë.
Gjatë këtyre viteve edhe eksporti i Kosovës për në këtë shtet ka shënuar rënie.
Në viti 2022, sipas doganës, eksporti në Serbi kapte vlerën e mbi 60 milionë eurove, më 2023 – 48 milionë euro ndërsa më 2024 mbi 37 milionë.
Biznesmenë në Kosovë thonë se ndalimi i importit të mallrave serbe për më shumë se një vit, u ka ndihmuar bizneseve kosovare.
“Do të shohim se sa është zhvilluar industria ushqimore pas ndalimit të produkteve serbe, ajo ndërtimore edhe industria e pijeve në Kosovë. Këtu ka pasur një zhvillim të hovshëm dhe ky zhvillim është pikërisht me ndalimin e importit të produkteve serbe”, ka thënë biznesmeni Burim Piraj.
Ndërsa, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve shprehen se humbjet nga ndalimi i mallrave serbe nuk kanë qenë të mëdha për bizneset kosovare.
Kryetari i saj, Agim Shahini, potencon se humbjet e Kosovës do të ishin më të mëdha në rast se vendi do të rrezikonte përjashtimin nga Procesi i Berlinit për shkak të moslejimit të mallrave serbe.
Qeveria e Kosovës kishte ndaluar importin e mallrave me origjinë nga Serbia në korrik të 2023-s për arsye sigurie.
Qeveria mori vendim të hënën që t’i heqë kufizimet në pikën kufitare në Merdar për mallrat serbe, teksa masa e sigurisë në pikat tjera do të ndryshojë pasi Kosova të furnizohet me skanerë të avancuar.
Vendimi për ndryshimin e masës u mor pas kërcënimeve të shtetit gjerman për përjashtim të Kosovës nga Procesi i Berlinit dhe CEFTA.