23.1 C
New York
Saturday, August 23, 2025

Buy now

Bllokada politike rrezikon krizë buxhetore e pasoja në zhvillimin ekonomik

- Advertisement -

Edhe planifikimet buxhetore për vitin e ardhshëm vlerësohet se po rrezikohen si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit. Qeveria e Kosovës është e obliguar që deri më 31 tetor t’ia dërgojë Kuvendit për miratim propozim-buxhetin për ndarjet buxhetore.

Njohës të fushës thonë se në situatën aktuale, as planifikimet për ndarjet buxhetore nuk mund të bëhen si duhet. Ndërsa, të njëjtit shprehen se dërgimi i propozim-buxhetit në Kuvend pas 31 tetorit, konsiderohet i jashtëligjshëm.

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës po rrezikon buxhetin e vitit 2026.

Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, miratimi i propozim-buxhetit dhe propozim-ligjit për ndarje buxhetore duhet të dorëzohet në Kuvend nga ana e qeverisë më së largu deri më 31 tetor.

Kosova aktualisht është me qeveri në detyrë, e pa parlament të konstituuar.

“Një mori e buxheteve të këtyre organizatave duhet rishikuar dhe duhet planifikuar për vitin e  ardhshëm dhe si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit ose nëse, eventualisht, Kosova përsëri përfundon në zgjedhjet e përgjithshme, imagjinoni, ne së paku deri në fund të vitit do të shkojmë e nuk do të kemi certifikim të rezultateve zgjedhore dhe nuk do të kemi as fillim të procedurës së konstituimit të Kuvendit dhe them se shteti rrezikon pa miratim të buxhetit”, tha Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës .

Ngërçi politik, sipas njohësve të fushës, mund të rrezikojë pagat e punonjësve publikë si dhe investimet kapitale.

Sipas tyre, në rast se projekt buxheti i republikës i shkon parlamentit pas 31 tetorit, ai konsiderohet si i kundërligjshëm.

“Rrezikohen edhe pagat e zyrtarëve publikë edhe investimet kapitale për vitin e ardhshëm, në rast se do të shkojmë në një situatë ku Kuvneid i Kosovës nuk mund të konstituohet…”, tha Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë, paralajmëron pasoja edhe në zhvillim ekonomik të vendit si pasojë e mungesës së institucioneve.

Faktikisht tash kemi edhe mungesa të ndryshme për faktin se shumë agjenci që i raportojnë Kuvendit të Kosovës janë jofunksionale, të paktën nuk kanë borde ose udhëheqës dhe nuk marrin vendime se janë të kufizuar në aspektin ligjor dhe kjo ka ndikuar edhe në rastin e ngritjes së çmimeve dhe tek investimet kapitale”, tha Beqiri.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar të enjten se buxheti për vitin e ardhshëm për komunat do të rritet në mbi 867 milionë euro.

Ai është shprehur se janë siguruar që komunave të mos u zvogëlohet buxheti.

Ndërkaq, tri komuna, ajo e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut nuk po arrijnë të realizojnë një sërë projektesh të parapara për shkak se nuk u është alokuar buxheti i këtij viti.

Të ngjashme

Të fundit