Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha më 3 maj se është shumë skeptik ndaj çdo pretendimi të bërë nga Rusia, pasi Moska tha se Kievi kishte nisur një sulm me dronë drejt Kremlinit.
“Unë i kam parë raportimet. Nuk mund t’i vërtetoj ato, thjesht nuk e dimë”, tha Blinken gjatë një eventi në Uashington, teksa shtoi se nuk u jep shumë kredibilitet “gjërave që dalin nga Kremlini”.
Rusia tha të mërkurën se dy dronë kishin shënjestruar rezidencën e presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit, në Kremlin gjatë natës, duke e përshkruar atë si një “sulm terrorist” nga Ukraina përpara festës së 9 majit, kur Rusia feston fitoren ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Kievi e mohoi pretendimin, duke sugjeruar se sulmi ishte “inskenuar” nga Moska.
“Ukraina nuk ka asnjë lidhje me sulmet me dronë në Kremlin”, tha zëdhënësi presidencial i Ukrainës, Mikhaylo Podolyak.
Blinken, në eventin e organizuar nga Uashington Post për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, përsëriti thirrjet për lirimin e gazetarit amerikan Evan Gershkovich, i cili po mbahet në Rusi nën akuzat për spiunazh.
Blinken tha se ndalimet e paligjshme të shtetasve të huaj nga Moska shërbejnë vetëm për ta izoluar më tej Rusinë.
“Gjithnjë e më shumë, mesazhi është, mos ejani këtu, mos udhëtoni”, tha Blinken. “Kushdo që jeni, rrezikoni të ndaleni nga rruga, të futeni në burg”.
Blinken diskutoi gjithashtu rrjedhjen e fundit të dokumenteve sekrete amerikane, të cilat zbuluan shqetësimet e Uashingtonit lidhur me një kundërofensivë të ardhshme ukrainase kundër trupave ruse, si dhe shqetësimet për mbrojtjen ajrore të vendit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ankua në një intervistë në Uashington Post të publikuar të martën se qeveria e tij nuk ishte paralajmëruar për rrjedhjen, duke e quajtur atë “një histori të keqe”.
Blinken tha se ai i tha homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba, në atë kohë se “na erdhi shumë keq për ekspozimin e paautorizuar të këtyre dokumenteve dhe se ne i marrim shumë seriozisht detyrimet dhe përgjegjësinë tonë për të mbrojtur informacionet”.
Diplomati i lartë amerikan foli pozitivisht edhe për bisedën telefonike të javës së kaluar mes liderit kinez Xi Jinping dhe Zelensky.
“Është shumë e rëndësishme që Kina dhe vendet e tjera që kanë kërkuar të avancojnë paqen të dëgjojnë nga viktima, jo vetëm nga agresori”, tha ai./REL/