Ditëve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kanë kritikuar – si kurrë më parë – Kosovën, për veprime të pakoordinuara që janë marrë nga qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, posacërisht ai për ndalimin e dinarit serb në territorin e Kosovës – çështje që u diskutua edhe në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
ShBA-të përmes Ndimës-Sekretarit të shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, por edhe përmes ambasadorit të tyre në Kosovë, Jeff Hovenier, kanë bërë të ditur se moskoordinimi i veprimeve të qeverisë me çështje që kanë të bëjnë me Veriun – i banuar me shumicë serbe – që kanë potencial për të shkaktuar tensione, sic është kjo për ndalimin e dinarit, kanë cënuar marrëdhëniet në mes të dy vendeve.
Në fillim të urimit të tij për popullin e Kosovës, që është publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit, Blinken thotë se “në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Kosovës kur ju festoni përvjetorin e gjashtëmbëdhjetë si shtet sovran dhe i pavarur”, pa përmendur fare udhëheqësit shtetërorë.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të qëndrueshëm, të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes njerëzve tanë. Ndërsa vazhdoni të bëni përparim në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e sundimit të ligjit, ne do të vazhdojmë të mbështesim një Kosovë multietnike që avancon një rajon më të sigurt, më të sigurt dhe më të begatë”, vazhdohet tutje në urim.
“Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes së ndërsjellë eventuale”, thekson Blinken.
Kryediplomati amerikan potencon se shteti që ai përfaqëson beson se ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike.
“Ne mbështesim aspiratat e përcaktuara në deklaratën tuaj të pavarësisë dhe kushtetutës për të ‘kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi’”.
“Ne mirëpresim mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe jemi mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim në vendin tuaj. Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të lulëzojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë”.
Në fund, Blinken shkruan: “urime sërish mikut, partnerit dhe aleatit tonë përvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Paç një vit të qetë dhe të begatë përpara”.
Sa i përket marrëdhënieve në mes të Blinken-it dhe autoriteteve të Kosovës, kishte qenë kryeministri Kurti ai që në një intervistë për prestigjiozen britanike “The Guardian, më 30 maj, e kishte ofenduar kryediplomatin amerikan duke e quajtur “naiv”, pasi që ky i fundit e kishte kritikuar qeverinë për veprimet e ndërmarra në Veri të vendit, për të cilat ishin shkaktuar tensione në atë pjesë të Kosovës./Albanian Post/