Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka mohuar se organizatat ADMOVERE dhe INTEGRA, organizatore të ekspozitës për masakrat në Kosovë kanë kërkuar të dhëna nga ta.
Sipas tij të dhënat në këtë ekspozitë janë të pasakta.
Ai ka thënë se këto organizata nuk kanë kërkuar asnjë informacion për masakrat apo krimet e luftës në Kosovë nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Dy organizatat kanë thënë se të dhënat për masakrat në Kosovë që doli se u ekspozuan me pasaktësi janë marrë nga FDH.
“Ne asnjë herë nuk e kemi marrë asnjë kërkesë as nga ADMOVERE dhe INTEGRA për t’ju ofruar informacione për asnjë maskara në Kosovë apo për krime lufte. Absolutisht, kurrë në asnjë rast nuk na është qasur nga këto dy organizata për informacione të tilla. Është deficit i madh i njohurive për të deklaruar diçka që është shkruar në atë billbord për masakrën në Burgun e Dubravës. Fondi për të Drejtën Humanitare asnjëherë nuk e ka thënë se në këtë burg janë vrarë njerëz të armatosur. Kjo është e pavërtetë dhe nuk e di se në çfarë të dhënash janë bazuar këto dy organizata”, ka thënë Blakaj në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Në këtë ekspozitë u tha se në masakrën e Dubravës pati njerëz të vrarë që ishin të armatosur.
E Blakaj ka thënë se kjo është e pasaktë dhe e pakuptimtë.
“Nuk i kemi analizuar të gjithë billbordat, por ai që ka të bëjë me masakrën në Burgun e Dubravës më të vërtetë nuk përmban të dhëna të sakta. Është e pakuptimit për tu thënë madje besuar se në një burg mund të ketë persona të armatosur të vrarë”, ka thënë ai.
Për këtë ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli i cili ka thënë se në këtë ekspozitë ka të dhëna të pasakta për masakrën në Burgun e Dubravës.
Dugolli ishte njëri nga të mbijetuarit e kësaj masakre.
Pas reagimeve Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen për këtë ekspozitë.
Edhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka reaguar për ekspozitën i cili ka kërkuar që Prokuroria të nis hetimet.






