Drejtorët ekzekutivë të Bankës Botërore kanë përzgjedhur Ajay Banga për president të ri të këtij institucioni.
Banga do të ketë mandat pesëvjeçarë, që do të nisë nga 2 qershori 2023.
Banga, 63 vjeç, u propozua për këtë post nga Presidenti i SHBA Joe Biden në fund të shkurtit dhe ishte pretenduesi i vetëm për të zëvendësuar shefin në largim të Bankës Botërore, David Malpass.
Vendimi u more pasi anëtarët e bordit të Bankës Botërore intervistuan Bangan për katër orë të hënën. Dita e fundit e Malpass në bankë do të jetë 1 qershori. Vendimi erdhi me votim nga 24 anëtarë të bordit, me Rusinë që abstenoi, raporton CNN.
Ai ka shërbyer më së gjati në pozitën e zëvendëskryetarit të General Atlantic. Paraprakisht ka qenë president dhe drejtor ekzekutiv në Mastercard, organizatë botërore me afërsisht 24 mijë punëtorë.
Banga po ashtu ka qenë kryetar nderi i Odës Ndërkombëtare të Tregtisë, ku ka shërbyer në vitet 2020-2022.
Ai ka lindur në Indi dhe ka bartur edhe pozita të tjera përgjatë karrierës së tij.