Derisa Qeveria e Kosovës paralajmëron vende të reja pune për pjesëtarët e komunitetit serb, investime në infrastrukturë dhe forma të tjera të mbështetjes, me qëllim fuqizimin e tyre ekonomik, disa biznesmenë serbë shprehen skeptikë në këtë drejtim.
Vitomir Jaqimoviq nga Leposaviqi dhe Dushko Guxhiq nga Graçanica thonë për Radion Evropa e Lirë se ajo që Qeveria e Kosovës u ofron serbëve, nuk është e mjaftueshme.
Sipas tyre, parakusht për fuqizimin ekonomik është qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve.
Në mes të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia për, siç tha, arsye sigurie. Kjo ndodhi pasi tre policë të Kosovës, u arrestuan nga forcat serbe. Edhe pse policët u liruan nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, ndalesa mbeti në fuqi.
Duke e komentuar këtë çështje, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se masa e tillë është marrë për shkak se “ekziston rreziku që krahas mallrave, në Kosovë të futen edhe armë”.
Përndryshe, “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë” ishte temë e një tryeze të rrumbullakët, që u organizua këtë javë nga Qendra për Dialog Humanitar në Prishtinë.
Çfarë bën Qeveria e Kosovës për serbët?
Në këtë tryezë, Bislimi tha se Qeveria e Kosovës ofron mbështetje për kompanitë apo sipërmarrësit e vegjël përmes punësimit të punëtorëve, gjegjësisht përmes subvencioneve për pagesën e pagave mujore.
Ai tha se në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – Qeveria e Kosovës do të mbështesë dy mijë vende të reja pune në sektorin privat.
“Deri në 70 për qind e pagës ose me rreth 350 euro do të subvencionohen për gjashtë muaj. Reagimet që morëm nga veriu, janë shumë të mira. Sipas parashikimeve të deritashme, nevojiten rreth 2.000 vende të reja pune. Nëse ka nevojë, kjo masë mund të zgjerohet edhe me 2.000 të tjera. Ajo mund të aplikohet edhe në komunat tjera me shumicë serbe”, tha Bislimi.
Përveç katër komunave në veri, janë edhe gjashtë komuna të tjera me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër: Graçanica, Shtërpca, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti dhe Novobërda.
Bislimi u shpreh i bindur se “formalizimi i ekonomisë” do të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik të serbëve, përkatësisht në regjistrimin e bizneseve, në luftën kundër kontrabandës dhe në mjetet buxhetore të Qeverisë për realizimin e projekteve infrastrukturore.
Çfarë thonë biznesmenët?
Jaqimoviq nga Leposaviqi thotë se pozita e biznesmenëve serbë është shumë e keqe dhe se gjithçka bëhet “për mbijetesë”.
Subvencionet e Qeverisë së Kosovës, sipas tij, nuk janë të mjaftueshme, sepse janë të kufizuara në punësimin e punëtorëve.
“Punësimi i një apo dy punëtorëve nuk mjafton për aktivitetet ekonomike. Duhet të zgjidhet në një mënyrë tjetër, që malli të hyjë dhe të dalë normalisht”, thotë ky biznesmen shumëvjeçar, duke aluduar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.
“Unë nuk shoh që dikush është përfshirë në zgjidhjen e këtyre problemeve. Qeveria e Kosovës mund të ndihmojë nëse i ndryshon vendimet e saj, duke lejuar qarkullimin e mallrave. Mallrat nga Serbia nuk mund të vijnë”, thotë Jaqimoviq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, nuk do të ketë zhvillim ekonomik “derisa politika të ndërhyjë në punën e biznesmenëve”.
Guxhiq, biznesmen nga territori i komunës së Graçanicës, beson se Qeveria e Kosovës nuk dëshiron sinqerisht të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të serbëve. Sipas tij, këtij komuniteti i sigurohet minimumi – “vetëm ajo që duhet”.
“Ajo [Qeveria e Kosovës] mund të bëjë shumë, por nuk do. Thjesht, ajo nuk do që të na ndihmojnë”, thotë ai.
Guxhiq merret me prodhimin e lëngjeve dhe reçelit, që kryesisht shiten në tregun e Kosovës.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se biznesin e ka filluar para rreth shtatë vjetësh, falë organizatave ndërkombëtare joqeveritare.
Ai thotë se asnjëherë nuk ka marrë ndihmë nga Qeveria e Kosovës.
Por, sipas tij, biznesmenët serbë nuk dëgjohen as në Qeverinë e Serbisë.
Rashiq: Kemi paraparë punësimin e komuniteteve pakicë
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se vitin e kaluar, për herë të parë, është realizuar një program zhvillimor ekonomik, përmes të cilit janë investuar rreth tre milionë euro në ekonominë e zonave ku jetojnë serbë.
Ai përmendi edhe strategjinë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë, e cila u miratua nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2023.
Sipas tij, kjo strategji do të fillojë të zbatohet këtë vit dhe buxheti i planifikuar është rreth 32 milionë euro.
“Në ata 32 milionë euro që përmenda, është edhe programi ekonomik. Një nga pikat më të rëndësishme të kësaj strategjie, është përfaqësimi proporcional i joshqiptarëve në administratën publike”, tha Rashiq.
Sipas ligjeve të Kosovës, pjesëtarët e komuniteteve pakicë duhet të përbëjnë së paku 10 për qind të të punësuarve në sektorin publik.
Deri më tani, sipas Rashiqit, “askush nuk është marrë sinqerisht me këtë çështje”.
Sektori civil: Gjendja e biznesmenëve serbë është “kaotike”
Aleksandar Stojanoviq, nga Qendra për Zhvillimin e Komuniteteve Lokale, tha se Qeveria e Kosovës nuk ka komunikim me komunitetin serb, se merr vendime pa konsultime dhe se serbët ndjejnë pasiguri për shkak të kësaj.
“Më duhet të them se edhe organizatat ndërkombëtare kanë investuar shumë pak në mjediset serbe. Tani kemi nevojë për programe pak më serioze [të Qeverisë së Kosovës] që do të hapin biznese në mjediset serbe. Na duhet të ndryshojmë qasjen afatgjate”, tha ai.
Gordana Gjoriq, nga Shoqata e Grave Afariste, vlerësoi se situata e paqëndrueshme politike, bën që komuniteti shumicë shqiptar t’i bojkotojë produktet e biznesmenëve serbë.
“Më gjeni një treg më të madh, ku mund të gjeni produkte serbe. Ka bojkotim të produkteve serbe. Njerëzit tanë kanë probleme me shitjen e mallrave”, tha ajo.
Gjoriq tha se situata është “kaotike”, sepse Qeveria e Kosovës “nuk ka krijuar kushte që komuniteti serb të zhvillohet ekonomikisht”.
Sipas saj, është e nevojshme që, para së gjithash, të krijohet besim mes institucioneve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës.
Veprimet e Qeverisë aktuale janë të tmerrshme. Ajo promovon largimin [e komunitetit] dhe nuk forcon zhvillimin ekonomik. Për mua është e pakuptueshme që Qeveria merr vendime, të cilat dëmtojnë ekonominë dhe komunitetin serb”, tha Gjoriq.
Në këtë kontekst, ajo përmendi ndalimin e importit të mallrave nga Serbia dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb me një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës.
“E gjithë kjo krijon frikë te njerëzit, ata nuk e dinë se çfarë të presin. Nuk krijon besim te njerëzit”, tha Gjoriq.
Bislimi u përgjigj duke thënë se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia është në fuqi, për arsye sigurie dhe jo ekonomike.
“Transportimi i mallrave është keqpërdorur edhe për import të armëve. Prandaj, masat janë marrë për arsye sigurie nga Ministria e Punëve të Brendshme, e jo nga Ministria e Ekonomisë”, tha ai.
Disa muaj pas ndalimit të importit të mallrave nga Serbia, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke vrarë një polic.
Pak ditë më pas, policia e Kosovës sekuestroi një arsenal të madh armësh.
Prishtina zyrtare e akuzoi Beogradin për sulmin e 24 shtatorit, por ai e mohoi çdo përfshirje./REL