Përfaqësues të rreth 1300 kompanive vendore, të enjten nga ora 10 deri në 12, i bllokuan pjesërisht hyrjet në kryeqytet në shenjë proteste për liberalizimin e tregut të energjisë.
Kjo pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka marrë vendim që kompanitë me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, duhet të dalin në treg të hapur të energjisë elektrike.
Ky vendim ka ngjallur pakënaqësi të mëdha të këto biznese, të cilat sipas Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) numërojnë rreth 1300 e të cilat konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme të shpenzuar.
Përfaqësues të këtyre kompanive kanë kërkuar në vazhdimësi që ky vendim të shtyhet në mënyrë që këto biznese të mund të përgatiten për këtë ndryshim.
Por, ZRrE dhe qeveria në detyrë, kanë refuzuar që të shtyjnë afatin për këtë kalim, duke u arsyetuar se liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016.
Në këtë kuadër, disa kompani kanë marrë oferta për energji elektrike deri në trefish më të larta se tarifat e tanishme, dhe shumica nuk kanë arritur ende të lidhin kontrata me furnizuesit.
E data për hyrjen në fuqi të këtij vendimi është 1 qershori, dhe ZRrE ka thënë se të gjitha bizneset e mëdha do të dalin nga skema e tarifave të rregulluara dhe do të futen në tregun e lirë.
Në protestën e sotme, përfaqësues të bizneseve thanë se hyrja në treg të hapur të energjisë elektrike, do t’i shkatërrojë shumë nga ta.
Lulzim Rafuna, kreu i OEK-së, tha se veprimi i sotëm ka qenë i domosdoshëm, ndonëse jo e dëshirueshme.
“Nuk ka qenë dëshirë e jona të dalim të protestojmë sot. Kërkesa jonë është që institucionet të reflektojnë. Ne duam vetëm një fazë tranzicioni për të dalë në treg të lirë. Kemi kërkuar një vit për ta përgatitur tregun dhe bizneset. Çdo shtet ka një fazë tranzicioni, e ne nuk kemi”, tha Rafuna.
Skender Krasniqi nga Oda e Afarizmit të Kosovës, i bëri thirrje Qeverisë që të reflektojë lidhur me vendimin e ZRrE-së për liberalizimin e tregut të energjisë.
“Ne ftojmë Qeverinë e Kosovës që të reflektojë, të mos na detyrojë në fazat e tjera. Ashtu siç paska deklaruar kryeministri që nuk do të tërhiqet, edhe ne po i tregojmë që nuk do të tërhiqemi, por pasojat do t’i bartë qytetari, buxheti i shtetit, të gjithë ne”, u shpreh Krasniqi, transmeton Klankosova.tv.
Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu tha se kërkesat e bizneseve janë mjaft të qarta.
Madje, Gëxhaliu shtoi se tani është koha për të treguar maturi, pasi sipas tij edhe vetë Qeveria jeton e vepron falë sektorit privat dhe ekonomisë së vendit.
“Debate të tilla, diskutime të tilla nuk i bëjnë nder partneritetit publiko-privat që është i rëndësisë së pakontestuar, por kjo lojë ping-pongu vetëm e dëmton Kosovën, dëmton ekonominë, e dëmton aspektin social, prandaj besoj që është koha të tregohet maturi, duhet të avancohet dialogu, sepse në fund të fundit dhe Qeveria jeton, funksionon dhe vepron falë sektorit privat dhe ekonomisë së vendit”, tha Gërxhaliu në “Speciale” të Klan Kosova.
Një qytetar, i cili kishte mbetur në kolonë si pasojë e bllokadës së kryeqytetit, në emisionin “Fol me Arin” në KlanKosovaFM, tha se protestuesit e kanë me vend këtë protestë, pasi sipas tij çmimi i energjisë elektrike është shumë i lartë.
“Për çka janë çu këta, s’pe dimë na? Për rrymë a? Mirë e kanë, se shumë shtrenjtë”, tha ai.
Aktualisht, në treg janë të licencuara 21 kompani furnizuese me energji, ndërsa një tjetër është në proces licencimi. Shumica prej tyre janë nga Kosova, por ka edhe nga rajoni.
Kurti: Ka kaluar koha e barrikadave
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, komentoi protestën e bizneseve për bllokimin e hyrjeve në Prishtinë.
“Për të mbrojtur 1% të ndërmarrjeve më të fuqishme, në kurriz te 99 përqindëshit dhe të familjeve anembanë Kosovës, ata po duan që të bëjnë barrikada në hyrjet e Prishtinës, por koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar, i kemi hequr ato kudo ku kanë qenë dhe jemi zotuar që s’do të lejojmë që të vendosen të reja”, tha ai.
Kjo deklaratë u prit me kundërshtim nga njohësit e zhvillimeve në vend e nga politika.
Shenoll Muharremi tha se është e gabuar të krahasohen bizneset vendore me kriminelët serbë në veri.
“Kryeministri në detyrë po gabon kur po i krahason bizneset vendore me kriminelët serbë në veri. Një gjuhë e tillë është e papranueshme ndaj atyre që e ushqejnë dhe mbajnë gjallë Kosovën. Sulmi ndaj sektorit privat dhe ekonomisë së Kosovës është i paprecedent në historinë e Kosovës dhe Evropës demokratike”, tha Muharremi.
Duke u ndalur te çështja e energjisë elektrike për bizneset e mëdha, të cilat është vendosur të dalin në treg të hapur me vendim të ZRrE-së, Muharremi ka thënë se sektori i energjisë është keqmenaxhuar.
“Ka dyshime të larta për abuzim, monnopole dhe fatura astronomike. Liberalizimi i tregut duhet me ndodhë me përgatitjet e duhura”.
“Nuk janë 1% por 50% e të punësuarve në sektor privat. Secili sulm ndaj bizneseve vendore është sulm ndaj të tashmes dhe të ardhmes së Kosovës dhe rrezikon sigurinë kombëtare”, tha Muharremi.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur solidaritet me bizneset vendore që sot dolën në protestë, duke bllokuar pjesërisht qasjen për në Prishtinë në të gjitha rrugët kryesore hyrëse për në kryeqytet.
Pas dështimit të tentimit të 23-të për konstituimin e Kuvendit, ai foli për mediat, duke e quajtur “të tmerrshëm” vendimin e ZRrE-së për t’i vendosur bizneset e mëdha në treg të hapur.
“Në emër të PDK, shpreh solidarizimin tonë me mbi 140 mijë punëtorë, me mbi 1000 biznese kosovare, të cilat në masë të madhe po protestojnë simbolikisht duke bllokuar hyrjen në Prishtinë, për t’u dëgjuar zëri i tyre që deri tash është injoruar nga qeveria dhe organet vartëse të tyre, të cilat kanë vendosur t’ua shtrenjtojnë çmimin e rrymës për gati 300%”, tha ai.
Ndër të tjera, Krasniqi tha se është “e turpshme që kryeministri në detyrë i krahason punëtorët dhe bizneset e Kosovës me grupet dhe bandat kriminale në veri të vendit, të cilat në të kaluarën në shumë raste kanë vendosur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët. Është turpshme dhe e papranueshme”.
“Sot do të duhej të flisnim jo për 1% siç i ka quajtur kryeministri, por për mbi 50% të të punësuarve në sektorin privat, për mbi 35% të të punësuarve total në Kosovë”, deklaroi Krasniqi.
Deputetja e zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti me politikat e tij po i detyron sot të dalin në rrugë punëdhënësit e 143 mijë punëtorëve.
“Nga 1 qershori, përmes një vendimi represiv, do të rritet çmimi i energjisë elektrike deri në 260% për punëdhënësit me të mëdhenj në vend”, tha ajo.
Bajrami përmendi edhe disa raste që ajo i cilësoi si skandale gjatë qeverisë Kurti2, dhe tha se tani në fund kemi edhe “faturë energjie që rrezikon të mbyllë qindra biznese në radhë të parë ato prodhuese”.
“Kosova po shkon drejt rrënimit ekonomik, e qytetarët e saj drejt varfërisë. Kjo situatë është e padurueshme dhe e papranueshme”, deklaroi Bajrami, teksa kërkoi anulim të vendimit të ZRrE-së.
Rritja e çmimit të rrymës, Avokati i Popullit me kritika për institucionet
Avokati i Popullit, Naim Qelaj përmes një opinioni ka ofruar qëndrimin e përgjithshëm lidhur me çështjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), si dhe efektet e krijuara nga kjo rritje, në dritën e garancive kushtetuese dhe ligjore sa i përket të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Avokati i Popullit vlerëson se rritja për 16.1% e tarifave për energjinë elektrike ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës, duke rënduar veçanërisht situatën e konsumatorëve në nevojë dhe të familjeve që përfitojnë asistencë sociale”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka obligim të veprojë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike, në mënyrë që vendimet e tilla të ZRrE, të përcillen me masa përmes të cilave do mbrohen të drejtat e konsumatorëve në nevojë dhe kategoritë e tjera të cenueshme, e po ashtu të ndërmarrin masa konkrete me qëllim të krijimit e kushteve të përballueshme edhe për komunitetin e biznesit, duke krijuar kushte të përshtatshme për liberalizim të tregut me kushte të favorshme, si dhe duke marr masa me qëllim që të shmangët krijimi i monopolit”, tha mes tjerash Institucioni i Avokatit të Popullit.
Më tej opinioni shpreh shqetësime serioze për mungesën e bashkërendimit ndërinstitucional dhe mosrespektimin e dispozitave të nenit 49 të Ligjit për Energjinë Elektrike, i cili kërkon konsultim ndërmjet ZRrE-së dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë.
Avokati i Popullit ka kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimeve përkatëse deri në përfundimin e hetimeve dhe shqyrtimin e të gjitha aspekteve ligjore, sociale dhe ekonomike që lidhen me këtë çështje.