Organizatat e bizneseve paralajmëruan protestë për nesër kundër vendimit të Zyrës të Rregullatorit të Energjisë për tregun e lirë të energjisë, që hyri në fuqi më 1 qershor me kërkesën themelore që vendim të shtyhet për një vit.
Protesta e nesërme do të mbahet nga ora 11.00 deri në 12:00 në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna kërkoi që Qeveria të reflektojë rreth këtij vendimi, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.
“Kërkesë e bizneseve është që vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji t’u jepet një vit që të përgatiten për tregun e lirë të energjisë. Ka shumë biznese që nuk janë të njoftuar për këtë proces. E kam thënë edhe më herët po bëhet nxjerrje e dhunshme të 1300 bizneseve në tregun e lirë të energjisë”, tha Rafuna.