9 C
New York
Wednesday, January 7, 2026

Buy now

Bizneset paralajmërojnë pasoja të rënda dhe humbje financiare për shkak të ndërprerjeve të rrymës

- Advertisement -

Disa qytete e fshatra në Kosovë janë përballur ditëve të fundit me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, ku në disa zona furnizimi me rrymë ka munguar për orë të tëra, shpeshherë edhe pa asnjë paralajmërim.

Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh te qytetarët dhe veçanërisht te bizneset, të cilat po përballen me vështirësi serioze në funksionimin e tyre dhe me humbje financiare.

Mungesa e energjisë elektrike dhe ndërprerjet e shpeshta pa paralajmërim kanë rikthyer shqetësimin te qytetarët dhe komuniteti i biznesit në Kosovë, në një kohë kur Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka paralajmëruar vendim për shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike.

Ky zhvillim ka nxitur reagime nga përfaqësuesit e bizneseve, të cilët paralajmërojnë pasoja të rënda për sektorin prodhues, investimet dhe punësimin në vend.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini ka shprehur shqetësim lidhur me vështirësitë e furnizimit me energji elektrike gjatë muajve të fundit, duke theksuar se ndërprerjet e shpeshta dhe pa paralajmërim po e godasin drejtpërdrejt sektorin prodhues në Kosovë.

Sipas Shahinit, mungesa e rrymës po shkakton humbje të mëdha për bizneset.

Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Kushtrim Ahmeti ka folur lidhur me problemet e fundit në furnizimin me energji elektrike.

Ai ka shtuar se reduktimet e shpeshta dhe mungesa e paralajmërimeve po u shkaktojnë dëme serioze bizneseve në vend.

Ahmeti tha se gjatë ditëve të fundit ka pasur ankesa të shumta nga bizneset.

Eksperti i ekonomisë, Arton Muhaxhiri ka shprehur shqetësimin e tij mbi situatën e rënduar energjetike në Kosovë, duke e cilësuar atë si të papranueshme.

Sipas tij, në vitin 2025 qytete të tëra mbeten pa furnizim me energji elektrike për orë të tëra.

“Ajo që po ndodh sot në Kosovë është e papranueshme. Në vitin 2025, qytete të tëra mbesin pa rrymë me orë të tëra, duke e dëmtuar rëndë ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Bizneset po pësojnë humbje, ndërsa qytetarët po paguajnë energji më të shtrenjtë, por pa furnizim të sigurt”, tha Muhaxhiri.

Ai tha se mungesa e reagimit të shtetit dhe mungesa e planit të qartë për zgjidhjen e krizës energjetike po dëmton seriozisht zhvillimin ekonomik të vendit.

“Mungon reagimi i shtetit dhe nuk ka as plan, as përgjegjësi. Një vend që nuk garanton energji elektrike nuk mund të ketë zhvillim ekonomik. Kjo gjendje kërkon veprim të menjëhershëm, jo arsyetime”, ka deklaruar ai./Front Online/

Të ngjashme

Të fundit