Avokatja Blinera Osmani tha se vendimi i shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale nuk e ka rrëzuar të gjithë vendimin e shkallës së parë të Gjykatës komerciale.

Sipas Osmanit shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka anuluar vetëm pikën e 4 të akt-vendimit të parë, pikë kjo e cila pezullon nxjerrjen e bizneseve në tregun e hapur energjetik. Osmani ka paralajmëruar se bizneset do të vazhdojnë betejën ligjore me ZRRE-në deri në Gjykatën Kushtetuese.

“ në fakt vendimi i shkallës së dytë që kemi pranu dje është vetëm sa i përket pikës së 4 të aktgjykimit të shkallës së parë i cili ka përcaktuar masën pezulluese do të thotë nuk është vendim që ka rrëzu në tërësi i shkallës së parë por vetëm një prej pikave të aktgjykimit i cili ka të bëjë vetëm me masën pezulluese. Pra ka të bëjë vetëm me masën pezulluese që ka vendosur shkalla e parë ndërsa për pjesën tjetër për pikat e tjera të aktgjykimit është ende në proces e sipër shqyrtimi i tij. Kjo do të thotë që deri në momentin që kemi pranu vendimin e shkallës së dytë nuk ka masë pezulluese për tregun e lirë dhe vazhdon procesi i liberalizimit deri sa të kemi një vendim të formës së prerë.”

Gjykata Komerciale vendosi në favor të ZRRE-së duke anuluar pikën e katërt të Aktgjykimit të parë i cili pezulloi procesin e tregut të hapur energjetik. Pas këtij vendimi ZRRE-ja ka të drejtë të vazhdojë me procesin e tregut të lirë energjetik.

Ndërkohë, Avokatja Osmani ka paralajmëruar se bizneset do të vazhdojnë betejën e tyre ligjore deri në Gjykatën Kushtetuese.

“Sa i përket vendimit për masën pezulluese ne do të ndërmarrim veprimet tjera ligjore që kemi në dispozicion, do t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa në lidhje me pjesë tjetër të aktgjykimit jemi në pritje të vendimit të shkallës së dytë i cili do ta shqyrtoj gjithashtu ankesën e ZRRE-së dhe përgjigjet tona në ankesën e ZRRE-së dhe pas vendimit të shkallës së dytë do të shohim mjetet ligjore që kemi në dispozicion. Në fakt bizneset do të vazhdojnë në tregun e hapur deri në një vendim të formës së prerë fatkeqësisht sepse masa pezulluese që ka vendosur shkalla e parë tash shkalla e dytë e ka rrëzu poshtë që do të thotë se ne duhet pa tjetër ta respektojmë vendimin e shkallës së dytë dhe bizneset do të dalin në treg të lirë deri sa të kemi një vendim të prerë të Gjykatës.”, tha Osmani. /Rtv21