Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi tha se kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi u arrestua vetëm për shkak se i solli KEK-ut 107 milionë euro profit, raporton Ekonomia Online.
“Ne mendojmë që ka shumë korrupsion në KEK”, tha Bislimi gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrime, duke shtuar se rastet korruptive menaxhmenti aktual “i ka deponuar në Prokurori”.
“Por ja që s’ka interes politik të një institucioni që unë do të thoja është politik, siç është Prokuroria që të merret me këto raste. Por, ka interes të merret vetëm me rastin e menaxherit i cili nga një kompani që ka punuar me humbje, e ka sjellë kompaninë me 107 milionë euro profit. Ky ka qenë mëkati i Nagip Krasniqit për të cilin është dashur të arrestohet”, tha Bislimi.
“Si ka mundësi që një kompani publike të gjenerojë 107 milionë euro dhe asnjë nga këta të mos përfundojë në xhepat e politikanëve. Ky është problem i madh, andaj duhet të arrestohet që të vijë dikush tjetër pas tij i cili e ndryshon mënyrën e menaxhimit”, shtoi zëvendëskryeministri.
Ai tha se paratë e fituara nga KEK-u do të shkonin në buxhetin e shtetit, dhe jo “në jahta luksoze të politikanëve”. Kjo, sipas tij, është arsyeja e arrestimit të Krasniqit.