Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur sot në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Avio Orav.
Në një komunikatë për media të Qeverisë është thënë se Bislimi i ka uruar mirëseardhje në Kosovë zyrtarit të BE-së. duke shprehur gatishmëri për partneritet të ngushtë.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe progresin e Kosovës.
“Në këtë takim të parë njoftues dhe pune, zëvendëskryeministri Bislimi i uroi mirëseardhje të përzemërt në Kosovë ambasadorit Orav dhe shprehu përkushtimin dhe gatishmërinë për të ndërtuar një partneritet të ngushtë për përparimin e agjendës evropiane të Kosovës. Në fokus të bisedës ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, lidershipi i ri pas zgjedhjeve evropiane, bashkëpunimi ndërinstitucional, qeverisja dhe progresi i Kosovës në demokratizim, sundim të ligjit, politikat energjetike dhe reformat ekonomike, të cilat së fundi u përshëndetën edhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen”, është thënë në komunikatë.