Zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se shtyrja e zgjedhjeve nuk është opsion i mirë.
Për Zërin e Amerikës ai pohoi se zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe në një të tillë të mirëfilltë, janë institucionet që vendosin afatet zyrtare për mbajtjen e tyre.
Në anën tjetër, ai shtoi se ka vullnet politik për t’u mbajtur zgjedhjet, përveç njërës parti dhe siç e tha zëvendës-kryeministri, do të ishte gabim që ndryshimi të ndodhte për shkak të kërkesave të njërës parti.
“Fillimisht, zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe në një demokraci të mirëfilltë janë institucionet shtetërore që vendosin afatet zyrtare për mbajtjen e tyre. Në këtë rast, në zgjedhjet në veri të Kosovës, ka vullnet nga parti politike që të jenë pjesëmarrës në zgjedhje. Ky vullnet mungon vetëm nga një subjekt dhe do të ishte gabim që vullneti politik i shumicës së subjekteve politike t’i nënshtrohet interesave joparimore të një subjekti të vetëm politik.” – deklaroi ai.