Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi, e ka cilësuar projektligjin për diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të prezantuar në Kongresin Amerikan, si formalizim zyrtar të qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Serbisë.
Sipas Bislimit, ky dokument dëshmon se Serbia nuk mund të tolerohet më dhe se diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë nuk mund të vazhdojë pa u adresuar në arenën ndërkombëtare.
“Dokumenti është formalizim zyrtar i qëndrimit të SHBA-ve se Serbia nuk mund të ledhatohet më dhe as nuk mund t’i lejohet që diskriminimi që ua bën shqiptarëve në Luginën e Preshevës të mbetet i panjohur ndërkombëtarisht, sidomos në një kohë kur Serbia kërkon privilegje shtesë për serbët lokalë në Kosovë”, ka deklaruar Bislimi në Tëvë1.
I pyetur nëse ky projektligj përfaqëson një qasje më strikte të administratës Trump ndaj Serbisë, Bislimi u shpreh se bëhet fjalë për një qëndrim tashmë të zyrtarizuar.
“Absolutisht po. Jo vetëm më strikte, por një qasje e zyrtarizuar përmes një projektligji që ka kaluar në mënyrë unanime në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan, i iniciuar nga kongresmeni Keith South dhe i përkrahur plotësisht”, tha ai.
Në fund, Bislimi theksoi se Kosova duhet të shfrytëzojë momentumin historik nën administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, të cilën e cilësoi si më direkte dhe vendimmarrëse.
“Nën presidentin Trump kemi një qasje që kërkon edhe nga ne të jemi më proaktivë dhe ta shfrytëzojmë këtë momentum historik, jo vetëm për shqiptarët e Luginës, por për të gjithë shqiptarët kudo që janë”, përfundoi Bislimi.






