Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në takimet e radhës në Bruksel, të zhvilluara në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, ku për herë të parë ndërmjetës ishte z.Sorensen.
Pas përfundimit të takimeve, Bislimi deklaroi për mediat se gjatë ditës ai kishte realizuar një sërë takimesh, duke nisur me një takim trepalësh, që shënon edhe fillimin e një etape të re me ndërmjetësin e ri evropian. Ai tha se ishin trajtuar tri tema kryesore, ndër të cilat spikati diskutimi mbi zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Palët kanë prezantuar idetë e tyre për mënyrën se si mund të garantohet implementimi i marrëveshjes, me dakordim që në takimin e ardhshëm të paraqiten propozime të shkruara për sekuencimin thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Në mungesë të një agjende të përbashkët, takimet vazhduan në format bilateral thuhet në njoftim duke shtuar se Kosova theksoi pesë çështje që i konsideron kyçe: çështja e personave të pagjetur, transparenca e transfertave financiare për qytetarët në Luginën e Preshevës, funksionalizimi i interkoneksionit energjetik me Serbinë, zbatimi i marrëveshjes për kufijtë dhe fushata e dezinformatave nga Serbia.
I pyetur për ndryshime në qasjen e BE-së me ardhjen e z.Sorensen, Bislimi tha se janë dakorduar për parimet e reja të takimeve, duke vlerësuar stilin e tij si më transparent dhe me synim raportim të qartë tek vendet anëtare të BE-së. Ai shtoi se Sorensen ka një vizion të qartë dhe ka planifikuar që gjatë korrikut të vizitojë Kosovën dhe Serbinë për të përcaktuar hapat e mëtejshëm.
Megjithëse ende nuk ka rezultate konkrete, Bislimi theksoi se ekziston përkushtim për të vazhduar dialogun, përfshirë edhe një takim tjetër të mundshëm gjatë korrikut, para pushimeve verore të BE-së. Ai megjithatë theksoi se pengesat kryesore vazhdojnë të vijnë nga Serbia, e cila sipas tij, ka sabotuar procesin në vazhdimësi.