Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, qëndroi ditën e sotme në Bruksel ku mori pjesë në takimet e zhvilluara në kuadër të procesit të dialogut.
Mbi takimet e radhës dhe vijimësinë e procesit, zëvendëskryeministri Bislimi tha se nuk e kanë precizuar se si do të ecet tutje.
Bislimi shtoi se në draftin e dërguar nga Lajçaku thuhet që takimi i parë i Komitetit të Përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Pagjetur duhet të realizohet brenda 60 ditëve, që nënkupton jo më larg se fillim apo mesi i muajit korrik.
‘’Ne nuk e kemi precizuar sot se si do të ecet tutje. Mendoj që Grupi Monitorues nuk mund të takohet pa u dakorduar për termat e referencës. Kjo vlen edhe për Grupin Punues, apo Komitetin e Përbashkët për Personat e Pagjetur. Në draftin e dërguar nga z. Lajcak thuhet që takimi i parë i Komitetit të Përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Pagjetur duhet të realizohet brenda 60 ditëve, që nënkupton jo më larg se fillim apo mesi i muajit korrik. Tash data 28 maj për ne nuk përbën kurrfarë date për të cilën duhet të brengosemi, për arsye se kemi pas një proces demokratik dhe është shumë normale që ky proces demokratik të finalizohet me aktin e emërimit dhe dhënies së betimit nga kryetarët aktual”, ka thënë Bislimi.
“Ne kemi informuar z. Lajcak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan e për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës për arsye se ne besojmë se EULEX-i duke qenë prezent në Kosovë, është dashur që të gjitha këto informata t’ia bart zotit Lajcak”, tha ai, njofton Klankosova.tv
‘’Unë kam frikë se mesazhi që po dërgohet është i kundërt me atë që dëshirohet. Për aq kohë sa ne themi se inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë këtë si ftesë për tensione. Në njëfarë mënyrë sikur ftesë që nëse doni ta pengoni këtë, duhet të krijoni tensione dhe mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme dhe e panevojshme në këtë fazë.’’ përfundoi Bislimi.