Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi nuk është vetëm nevojë, por “edhe domosdoshmëri”.
Ai më 13 gusht u takua me deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Në takim, sipas njoftimit të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, u diskutua për “politikat diskriminuese e shtypëse të Serbisë” ndaj shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.
“U bisedua edhe për gjendjen e shqiptarëve në Sanxhak, ku prioritet mbetet çështja e ruajtjes dhe kultivimit të identitetit shqiptar”, u tha në njoftim.
Bislimi tha se ekzekutivi kosovar do të vazhdojë mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – komuna në jug të Serbisë, ku jetojnë shqiptarë, që njihen me termin Lugina e Preshevës – por edhe në Sanxhak, me qëllim, që siç tha, “të ruhet kultura e identiteti, por edhe për të rritur mbështetjen për programe konform nevojave të komunitetit shqiptar atje”.
Qeveria e Kosovës ofron mbështetje financiare shqiptarët në Luginë. Në qershor, ekzekutivi kosovar ndau 626.400 euro për mbështetjen e arsimit dhe lobimit institucional për shqiptarët në Luginë, përfshirë bursa për studentë, mbështetje për nxënësit dhe financim të aktiviteteve lobuese e avokuese në nivel ndërkombëtar.
Ndërkaq, në korrik u ndanë 580 mijë euro për bashkëfinancimin e ndërtimit të një shkolle të muzikës dhe muzeut në Preshevë.
Vitin e kaluar, Bislimi kishte akuzuar Serbinë se po përpiqet të ndalë mbështetjen financiare të Qeverisë së Kosovës për bujqit shqiptarë në Serbi.
Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë të Preshevës vazhdimisht ankohen se shteti serb ua shkel të drejtat dhe i diskriminon.
Shqiptarët në Serbi ankohen se autoritetet në këtë shtet nuk ua njohin diplomat e Kosovës, kërkojnë integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.
Zyrtarët serbë i kanë hedhur poshtë akuzat.
Një problem që është ngritur vazhdimisht viteve të fundit nga shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë në Serbi është pasivizimi i adresave.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.
Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022./REL/