Zëvendëskryeministri i vendit dhe kryenegociatori në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi duket se po kërkon që procesi i normalizimit të marrëdhënieve mos të ndërlidhet me njohjen nga pesë vendet mosnjohëse, anise të kundërten, e kanë thënë vazhdimisht ndërmjetësuesit e dialogut.
Në një intervistë për mediumin “EuroActiv”,Bislimi duket se në rolin e kryenegociatorit, ka dalë me një ide të re. Kryenegociatori po thotë njohja nga pesëshja duhet të jetë hyrja në normalizim me Serbinë, e jo dalja.
Sipas tij, Serbia nuk do të ishte konstruktive në dialog, nëse do të dinte se ka një kosto të tillë.
“Nëse mbahet progresi me jo-njohësit si rezultat i procesit, përparimi bëhet i pamundur dhe do të ishte joracionale që Serbia të jetë konstruktive në dialog nëse e dinë se do të ketë një kosto të lartë për ta.” – ka deklaruar ai.
Bislimi ka vijuar me arsyetimin e tij:
“Nëse Serbia njeh pasaportat e Kosovës, Spanja nuk mund të thotë jo, ne nuk duam t’i njohim pasaportat e Kosovës. Nëse Serbia thotë, unë do të nënshkruaj një marrëveshje ku Kosova dhe Serbia e shohin veten si dy palë të barabarta, Sllovakia nuk mund të thotë jo”.
Çka u tha për këtë temë në Senatin Amerikan?
Kosova është në pritje të njohjeve nga pesë shtete anëtare të BE-së, që ende s’e pranojnë si shtet të pavarur: Spanja, Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Greqia.
Cila është arsyeja që këto vende s’e njohin Kosovën? Zyrtarët amerikanë që u morën me dialogun, Derek Chollet e Gabriel Escobar kishin folur për këtë në një paraqitje në Senatin Amerikan.
“Një pjesë e arsyes pas janë politikat e vetë tyre, nuk është veç për Kosovën apo Serbinë, por kanë situat e veta në shtetet e tyre, dhe frikësohen se mund t’u ndodhë e vnjëjta në vendet e tyre. Derisa bëmë marrëveshjen për zbatimin e saj, kemi pasë sinjale se kjo mund të ndodhë, do të jetë shumë e vështirë, por ne u themi miqëve tanë në Kosovë që po punojmë shumë, por ne duhet ta shohim këtë marrëveshje që të implementohet.” – kishte thënë Escobar.
Pikërisht për këtë, ai kishte deklaruar se Kosovës po i kërkohet ta formojë Asociacionin, një marrëveshje që e përsëriti sërish, të obligueshme.
“Pesë shtetet që s’e njohin Kosovën kanë kërkuar implementim të plotë të marrëveshjes, për një marrëveshje bilaterale mes dy vendeve, është një qëllim i politikave të tyre. Ne duam të lëvizim drejt njohjeve të reja. Por për të pasur një presion të tillë, duhet të kemi pak implementim. Dhe Kosovës, po i kërkohet që ta implementojë Asociacion, është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme. Pra, mund ta lëviz më afër Bashkimit Evropian.” – ishte shprehur ai.